Valë reagimesh ,“Kosovarët do të paguajnë si pacientët pa sigurim”

Valë reagimesh ,“Kosovarët do të paguajnë si pacientët pa sigurim”

Gazetare: Vjollca Aliti

Pacientët nga Kosova do të paguajnë nëpër Spitalet tona njëjte si qytetarët e Maqedonisë të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor. Pas reagimeve të shumta në opinion, ministria e Shëndetësisë doli me sqarim për opinionin se qytetarët e shteteve fqinje të cilët do vijnë për trajtime mjekësore do të paguajnë në mënyrë private sikur shtetasit tanë pa sigurim, por jo më me tarifa më të larta. Konkretisht, nëse një shtetas i Maqedonisë së Veriut pa sigurim shëndetësor ka paguar 6000 denarë për rezonancë magnetike, njëjte do të paguajë edhe një shtetas i  Kosovës, i cili deri më tani ka paguar dyfish, apo 12,000 denarë për këtë shërbim.

“Kjo nuk ka të bëjë me barazimin e çmimeve midis shtetasve të huaj dhe shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por me barazimin me pacientët privatë që nuk paguajnë sigurim shëndetësor. Qytetarët të cilët paguajnë sigurim shëndetësor në asnjë mënyrë nuk do të jenë në pozitë vartëse për të paguar taksën ndaj shtetasve të huaj”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i cili ditë më parë njoftoi mbi këtë ndryshim në sistemin shëndetësor, tha se një hap i tillë para së gjithash favorizon shëndetësinë shtetërore.

“Ka një keqkuptim nëpër media nuk e di nëse me qëllim apo prapavijë apo me naivitet mendojnë se Fondi Shëndetësor do t’i paguajë harxhimet për kosovarët, por nuk është kjo. Ata do paguajnë privat si çdo njeri tjetër i cili vjen në Maqedoni, kontrollohet dhe paguajnë shërbimin shëndetësor privat. Ashtu dhe kosovarët nuk do ta paguajnë shërbimin dyfish por do ta paguajnë aq sa është i përcaktuar nga Fondi”, deklaroi Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkohë reagim ka pasur edhe VMRO-DPMNE. Igor Nikollov tha se autoritetet shëndetësore prioritet duhet të kenë pacientët që janë shtetas tanë, dhe jo të mendojnë për lehtësime për shtetasit e huaj.

“Autoritetet nuk gjejnë zgjidhje për qytetarët e vet të cilët paguajnë rregullisht për shërbimet shëndetësore pa dallim nëse shfrytëzojnë apo jo, vendosën që persona nga shtete të tjera të paguajnë për shërbime shëndetësore njëjtë si shtetasit e Maqedonisë. Është e paqartë sa kjo masë do t’i kushtojë qytetarët e Maqedonisë, si do të vijë deri te këto para dhe si pacientët tanë do të shërohen”, tha Igor Nikollov, VMRO-DPMNE.

Në vendin tonë, më së shumti pacientë për trajtim vijnë nga Kosova. Ata kryesisht në Shkup drejtohen për shërbime onkologjike dhe hematologjike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button