Valë reagimesh për shkarkimin e Damevës
Valë reagimesh për shkarkimin e Damevës

Gazetar: Adrian Kerimi
Presidenti Stevo Pendarovski i vlerëson si skena të cilat nuk i ngjasojnë gjykatësve, ndodhitë e djeshme në Këshillin Gjyqësor. Propozuesi i Vesna Damevas për anëtare të këtij trupi, vlerëson se veprimet e anëtarëve gjatë seancës së 26 prillit ndikojnë edhe më tepër në uljen e besimit ndaj sistemi gjyqësor.
“Po ndodhin skena të cilat nuk i kanë hije këtij trupi i cili ka rol shumë të rëndësishëm, referuar kompetencave për zgjedhjen, shkarkimin dhe vlerësimin e gjykatësve, kujdesi ndaj imazhit të gjyqësorit si faktori kyç për besimin e qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e presidentit Pendarovski.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka kërkuar procesverbalin e seancës së 26 prillit për t’u njoftuar më tepër me zhvillimet. Si anëtarë pa të drejtë vote, Lloga nuk ishte prezent në seancën e 26 prillit në Këshillin Gjyqësor.
“Për të marrë më shumë informacione, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar kërkesë Këshillit Gjyqësor që të dërgojë në këqyrje procesverbalin e seancës së 438-të, si dhe rendin e miratuar ditor”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Komisioni për parandalimin e korrupsionit shpreh shqetësimin e tyre për ndodhitë duke potencuar se anëtarët duhet të kujtohen se ekzistojnë dispozita ligjore kundër parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
“Komisioni për parandalimin e korrupsionit shpreh shqetësimin serioz për ndodhitë në seancë të Këshillit Gjyqësor. Rikujtojmë personat që ndodhen në ato pozita se duhet respektuar dispozitat ligjore dhe duhet ruajtur integriteti në përputhje me Ligjin për parandalimin e korrupsionit”, thonë nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit.
Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” vlerëson se vendimi i një dite më parë është në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore me të cilët rregullohet veprimtaria e Këshillit Gjyqësor.
“Vesna Dameva nuk mund të shkarkohet nga pozita e kryetares pa u shkarkuar nga pozita e anëtares së këshillit. Nuk është respektuar procedura në të cilën mund të vendoset për përgjegjësi disiplinore të anëtarit, përfshi edhe kryetarin e Këshillit Gjyqësor. Vendimi është sjell pa shumicën e duhur, në vend të 8 votave, për vendimin votuan 7 anëtarë ku njëra prej këtyre votave ishte e vetë anëtarit që ka iniciuar iniciativën për shkarkim”, theksojnë nga Koalicionit “Të gjithë për gjykime të drejta”.
Ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor ka reaguar edhe Grupi “Blueprint” për reforma në gjyqësorë të cilët vlerësojnë se vendimi për shkarkimin e Vesna Damevas nga pozita e kryetares nuk është votuar nga numri i nevojshëm i anëtarëve dhe se kjo situatë është pasojë e mungesës së dispozitave të qarta ligjore të cilat duhet me doemos të rregullohen që skena të tilla të mos përsëriten. /Alsat.mk