“Vargjet satanike” sërish në libraritë e Indisë pas ndalesës 36-vjeçare

“Vargjet satanike” sërish në libraritë e Indisë pas ndalesës 36-vjeçare

Rikthimi i ‘Vargjeve satanike’ në libraritë e Indisë nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës, por me mungesën e dokumentacionit. Një gjykatë në Nju-Delhi mbylli procedurat bazuar në një peticion të pesë vjetëve më parë, duke sfiduar vendimin e Qeverisë më 1988 për të ndaluar romanin për blasfemi të supozuar
Romani “Vargjet satanike” i Salman Rushdies, nuk është më vepër e ndaluar në Indi. Ndalesa ndaj librit që bëri bujë, është hequr pas 36 vjetësh. Atë e ndaloi Qeveria e Rajiv Gandhit më 1988 kur për shkak të përmbajtjes së tij, shpërthyen trazirat gjithandej.

Libri konsiderohej aq fyes për myslimanët, saqë pos ndalesës së tij në disa vende, lideri i asokohshëm suprem i Iranit, Ajatollah Ruhollah Homeini, lëshoi fatva ndaj Rushdies, duke urdhëruar myslimanët që ta vrasin atë.

Dy vjet më parë, shumë vite pasi Irani u distancua nga fatvaja dhe Rushdie nuk ruhej, autori u sulmua rëndë dhe humbi njërin sy kur u godit me thikë në një ngjarje në veri të Nju-Jorkut. Hadi Matar, 26-vjeçar, u akuzua për vrasje në tentativë të shkallës së dytë. Një aktakuzë e veçantë federale e akuzon atë për terrorizëm.

Megjithatë, rikthimi i ‘Vargjeve satanike’ në libraritë e Indisë nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës, por me mungesën e dokumentacionit. Një gjykatë në Nju-Delhi mbylli procedurat, bazuar në një peticion të pesë vjetëve më parë, duke sfiduar vendimin e Qeverisë së atëhershme më 1988 për ta ndaluar romanin për blasfemi të supozuar.

Në vendimin e lëshuar, sipas agjencisë së lajmeve “Press Trust of India”, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Reh Pali citohet të ketë thënë se autoritetet nuk e kishin dhënë njoftimin e ndalimit të veprës.

Parashtruesi i peticionit, Sandipan Khan, ka thënë se ai nuk mund ta blinte librin për shkak të njoftimit të Bordit Qendror të Taksave dhe Doganave Indirekte më 5 tetor 1988 që ndalonte importin e romanit në Indi.

Ka theksuar se nuk ishte në gjendje ta lokalizonte njoftimin në ndonjë faqe zyrtare interneti apo nëpërmjet zyrtarëve.

Avokati i Khanit, Udjam Mukherjee, ka thënë se vendimi i Gjykatës do të thotë se tani e tutje nuk ka asgjë që e bllokon importin e romanit në Indi, por se shitja e “Vargjeve satanike” në librari varet nga botuesit ose shitësit.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Delhit doli me vendim: “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të supozojmë se një njoftim i tillë nuk ekziston”.

“Bahrisons Booksellers”, një librari familjare kaherë në zë në Nju-Delhi, ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se e ka nxjerrë në shitje librin.

Libri ‘Vargjet satanike’ tani është depo”, shkruhet në postim. Menaxheri i dyqanit, i cili nuk ka pranuar të identifikohet, ka thënë se shitja “ka qenë shumë e mirë”, pavarësisht çmimit prej 1,999 rupi (rreth 22 euro), i cili është i lartë për standardet indiane. “Ne po e presim me padurim”, ka thënë ai, ka raportuar të enjten “The Guardian”.

Megjithatë, kthimi i “Vargjeve satanike” ka shkaktuar zemëratë në mesin e disa organizatave myslimane që kanë bërë thirrje për rivendosjen e ndalimit të kësaj vepre, duke pretenduar se romani “fyen” besimet islame dhe kërcënon harmoninë sociale në një vend ku 14 për qind e popullsisë janë myslimanë.

“Asnjë mysliman nuk mund të tolerojë ta shohë këtë libër të urryer në raftet e ndonjë librarie”, kanë thënë ata.

Rushdie, i cili ka nënshtetësi amerikano-britanike dhe mori titullin e kalorësit në vitin 2007, ka pohuar vazhdimisht se “Vargjet satanike” është një vepër fiksioni dhe nuk përmban asgjë fyese.

LEXO EDHE:

Back to top button