Shoferi që përplasi për vdekje Kullakovën u dënua me 12 vjet burg / Babai i Frosinës i pakënaqur me dënimin e lëshoi sallën e gjyqit me fjalët “gjykata mafia”
Shoferi që përplasi për vdekje Kullakovën u dënua me 12 vjet burg / Babai i Frosinës i pakënaqur me dënimin e lëshoi sallën e gjyqit me fjalët “gjykata mafia”

Gazetar: Suad Bajrami
Vasil Jovanov u shpall fajtor dhe u dënua me 12 vjet burg për vdekjen e Frosina Kullakovës. Aksidenti me pasoja fatale ndodhi në 29 janar pak para mesnatës, kur Jovanov duke drejtuar makinën nën ndikimin e alkoolit, pa patentë shoferi, në semafor të kuq dhe viza të bardha përplasi Frosina Kullakovën. Prindërit e Kullakovës shprehën revoltën e tyre. Babai i Frosinës me të dëgjuar vendimin në Gjykatën Penale iu drejtua gjykatësve me fjalët “mafia” dhe doli nga salla e gjyqit.
“Gjykata, të akuzuarin e dënon me burg në kohëzgjatje 12 vjet”.
“Të akuzuarit Vasill Jovanov nga Shkupi i shqiptohet edhe dënim ndalesë për drejtim të automjetit motorik të kategorisë B në kohëzgjatje prej 5 vitesh. Gjykata, Mafia, dënoje tani. Mafia…”.
Sipas babit të Frosinës, dënimi i këtillë është shpërblim për Jovanovin.
“Nuk kam fjalë tjetër, gjyqësori që i mbron mafiozët. 12 vite burg, është shpërblim për një vrasje në mënyrë më brutale të mundshme në komunikacion. Shpërblim. Si familje nuk përjashtojmë që pakënaqësinë tonë sërish nëpërmjet protestave ta shprehim përpara gjykatave dhe Këshillit Gjyqësor”, tha Todor Kullakov, babai i Frosinës.
Avokati i Jovanovit, thekson që megjithatë dënimi është mjaft i rëndë dhe nuk është në përputhje me praktikën e politikës ndëshkuese në vend.
“Gjithsesi është ngjarje tragjike, por nuk mundet nga kjo ngjarje të fillohet me zbatimin e politikës së re ndëshkuese në Republikën e Maqedonisë, vetëm për atë e kam ankesën”, theksoi Sasho Dukovski, avokat i Vasil Jovanovit.
Ngjarja pati shkaktuar reagime të shumta dhe protesta të njëpasnjëshme për drejtësi. Revolta, u shtua pasi opinioni mësoi se Jovanov kishte shkelur Frosinën në kohën kur do të duhej të kishte qenë në burg, pasi paraprakisht ishte kapur me marijuanë dhe kokainë. Për shkak rastit, autoritetet policore zbatuan për një periudhë masa dhe aktivitete të shtuara për të ndëshkuar shkelësit e trafikut. /Alsat.mk