Vazhdojnë përçarjet në Aleancën për Shqiptarët
Vazhdojnë përçarjet në Aleancën për Shqiptarët

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kanë vazhduar edhe sot deklarimet pro njërës ose palës tjetër në Aleancën për Shqiptarët, nga anëtarët e kësaj partie ose strukturat e saja. Alsat ka siguruar fotografi ku anëtarë të degëve të Hasanbegut, Çairit, Çuçer Sandevës, Haraçinës, Kumanovës, Likovës, Sarajit, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Dollnenit, Zelenikovës dhe të tjerë, kanë firmosur peticionin në mbështetje të idesë së kreut të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, për, siç tha ai, nevojën për ndryshim, gjë që nënkupton një koalicion parazgjedhor me opozitën shqiptare.
Për më tepër, Taravari në rrjetet sociale ka publikuar edhe një deklaratë të anëtarëve të Akademisë së ASH-së në mbështetje të tij.
“Tani që Maqedonia e Veriut po shkon drejt zgjedhjeve të reja, kemi një mundësi të papërsëritshme për një ndryshim të madh politik, një ndryshim të sigurt. Konsolidimi i opozitës shqiptare, i përkrahur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është sihariq i fitores së shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Halil Snopçe, Agron Rustemi, Arben Fetai, Arif Selmani, Azir Aliu, etj.
Aliu është njëri nga dy ministrat që dolën në mbështetje të Taravarit. Ai dhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti pritet të përballen me pasoja për mbështetjen e tyre ndaj kreut të partisë. Përgjegjësinë ndaj tyre e paralajmëroi edhe kreu i Kuvendit qendror të ASH-së Ziadin Sela në paraqitjen për media një ditë më parë.
“Aleanca për Shqiptarët ka ardhur koha që të rikthehet në trungun e saj. Emrat të cilët i përmendët janë të huaj, i pranuam krahëhapur por kishin ardhur me qëllime të huaja. Nuk do ta tolerojmë këtë. Kur nuk e din vëndin që të takon në një shtëpi të re ku ke shkuar, është detyrë që ato të largohen prej shtëpie”, tha Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit qendror të ASH-së.
Të pyetur sot nga Alsat për shkarkimin e mundshëm të tyre, ministrat Aliu dhe Mexhiti zgjodhën të mos komentojnë.
Ndërkaq të shtunën, në Kuvend qendror, Aleanca për Shqiptarët pritet të diskutojë për pikën e vetme të rendit të ditës, përgjegjësinë e kryetarit Arben Taravari. Taravari pasi doli publikisht dhe ftoi organet e partisë të përcaktohen për ndryshim, u akuzua nga një pjesë e funksionarëve për sabotim të organeve, mosinformim të tyre për ofertat për koalicione dhe mosndjekje të procedurës sipas statutit.
Statuti i Aleancës për Shqiptarët parashikon që Kryetarin e partisë e shkarkon Kongresi me votat e 2/3 të delegatëve të pranishëm në Kongres, kurse iniciativë për ndërprerjen e mandatit të Kryetarit ndërmerr 2/3 e përbërjes së Kuvendit të Partisë.
Kuvendi qendror i ASH-së numëron gjithsej 133 anëtarë kurse Taravari pretendon se ka mbështetjen e 80 prej tyre./Alsat.mk