Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë
Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë

Tension e debat në Kuvendin e Shqipërisë. Me të njëjtin skenar si në seancat e kaluara, opozita shqiptare në Kuvend u mblodh para foltores me pankarta në duar. Sërish nuk munguan zhurmuesit e bilbilat gjatë. Pavarësisht mosbindjes së deputetëve të opozitës, nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, vazhdoi me rendin e ditës. U diskutuan 4 projektligje për burimet ujore, investimet strategjike, turizmin dhe mbrojtjen e konkurrencës. Shumica miratoi disa nga projektligjet. Gjatë gjithë kohës, opozita shkaktoi zhurmë dhe tensione në sallë, ndërsa deputeti opozitar Gazment Bardhi u shpreh se procesi i votimeve nuk duhej të hapej, pasi nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm. Prezencën e votuan 68 deputetë, ndërkohë që duhet të ishin të paktën 71.
“Rregullorja e përcakton qartë. Që të hapet procesi i votimit të projektligjeve, do të duhet të kenë votuar pro për prezencën së paku 71 deputetë. Deklarohen që janë prezent 68 deputetë dhe kjo nuk e ndal vrullin e drejtueses së seancës për të miratuar ligjin e investimeve strategjike”, deklaroi Gazment Bardhi, deputet i opozitës. /Alsat.mk