Vazhdon bllokada e pikave kufitare nga ana e transportuesve/ KE-ja shqyrton mundësinë për kapërcimin e problemit

Vazhdon bllokada e pikave kufitare nga ana e transportuesve/ KE-ja shqyrton mundësinë për kapërcimin e problemit

Gazetar: Angell Dimovski

Transportuesit edhe sot bllokuan vendkalimet kufitare për qarkullim të mallrave. Kundërshtojnë ashpër sistemin e BE-së i cili kufizon qëndrimin në zonën Shengen deri ne 90 ditë. Komisioni Evropian ndërkaq thotë se shqyrton mundësinë për kapërcimin e problemit. Si opsion përmendet dhënia e vizave të veçanta për transportuesit.

“Po, që dje kemi ndryshim të mendimit, tashmë po e shqyrtojnë problemin tonë dhe ka zgjidhje që të jepen disa viza me të cilat ne do të mund të qëndrojmë më shumë se 90 ditë”, deklaroi Toni Maxhevski – Përfaqësues i Makam Trans.
Transportuesi Abdullah Halili, për televizionin Alsat, thotë se po përballen me probleme të mëdha, pasi vendet evropiane i kanë trajtuar si turistë, e jo si shoferë.

96% e importit në vend bëhet përmes automjeteve të ngarkesës. Nëse transportuesit nga vendi do të ndalonin veprimtarinë atëherë importin do ta bënin të huajt. Si pasojë, do të përbaleshim me çmime jashtëzakonisht të larta dhe rritje të inflacionit.

“Paralajmërimet e transportuesve janë se këto bllokada në vendkalimet kufitare do të zgjasin deri të dielën, por mund të pezullohen nëse Komisioni Evropian jep sinjale pozitive”, raporton Angell Dimovski, gazetar.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ka kërkuar bisedime me kryetaren e Komisionit Evropian me qëllim që të gjendet një zgjidhje.

“Unë dje kërkova bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Evropian, ajo është zyrtarisht e pranishme në Indi, pres që ditëve në vijim të flasim dhe sërish ta hapim këtë temë dhe bashkë me kolegët nga rajoni ta rikthejmë këtë temë në tryezë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.

Shoferët e kamionëve kërkojnë që qëndrimi i tyre në vendet evropiane të mos kufizohet në tre muaj, por të jetë i pakufizuar sikurse transporti detar, hekurudhor dhe ajror. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button