Vazhdon dialogu mes Serbisë dhe Kosovës në SHBA, pritet firmosja e disa marrëveshjeve


Delegacioni i Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë edhe sot takimin në Uashington.

Nga Shtëpia e Bardhë është thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump

Njoftimi i mbrëmjes së të enjtes nga Shtëpia e Bardhë thotë se pas takimit tre palësh do të ketë ceremoni nënshkrimi, por që nuk e përcakton se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, transmeton Zëri i Amerikës.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiq pas takimit tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell

Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.

“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa takimin e së enjtes në Uashington e cilësoi si historik.

Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar të enjten në Uashington është bërë përparim ekonomik dhe shtoi se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.

“Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin ‘Normalizimi ekonomik’. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thashë se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptoi që ne nuk mund ta pranojmë”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.

I dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.

Gjatë një pauze në mes të takimeve në Uashington, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili ishte pjesë e delegacionit të Serbisë, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.

“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli./Kosovapress/

LEXO EDHE:

Back to top button