Vazhdon golgota e nxënësve të Idrizovës

Vazhdon golgota e nxënësve të Idrizovës

Gazetare: Melihate Rustemi

Buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2023 nuk do ta bëjë realitet ndërtimin e shkollës fillore në Idrizovë. MASH arsyetohet se komuna e Gazi Babës nuk ka dorëzuar kërkesë dhe projekt për ndërtimin e këtij objekti. Alsat dërgoi pyetje në Gazi Babë, por përgjigje nuk morëm.  Shkuam në Idrizovë. Gjatë qëndrimit atje takuam nxënësit që po ktheheshin nga shkolla fillore “Njegosh” në Jurumleri. Deri në klasën e pestë, në këtë shkollë kanë të drejtën e mësimit në gjuhën amtare. Nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë detyrohen të mësojnë në gjuhën maqedonase për shkak të mungesës së paraleleve në shqip.

“Sa nxënës jeni në Koloni? 22 ose 23. Në çfarë gjuhe po mësoni? Maqedonisht. Në çfarë gjuhe dëshironit të mësoni? Shqip, po nuk ka pas, kemi hy maqedonisht. Nga sa nxënës shqiptar ka nëpër klasat maqedonisht? Te ne jemi 5 nxënës shqiptar”, u shpreh një nxënës.

“Deri në klasën e pestë shqip, pastaj prej klasës së gjashtë? Në maqedonisht. A do të jetë problem me gjuhën? Jo. A e di maqedonishten? Pak”, tha një nxënës.

“Unë në klasën e gjashtë dua të shkoj në Ognjancë. Pse në Ognjancë? Sepse gjuhën time se harroj. Dëshiron të mësosh shqip? Po”, u shpreh një nxënës.

Banorët e Idrizovës shprehen të revoltuar ndaj diskriminimit që po u bëhet fëmijëve të tyre. Vlerësojnë se ndërtimi i shkollës është mëse i nevojshëm për nxënësit e kësaj pjese.

“Deri tash asgjë hiç, vetëm mbrapa po kthehemi, fëmijët po shkojnë në Koloni. Kanë thënë se një shkollë me ndërtu këtu po kur, vetëm fjalë,  50 vjet po kalon”, tha një banor.

“Ju flitni shqip në shtëpi apo në gjuhë tjetër? Shqip, normal? Po fëmija në çfarë gjuhe mëson tash? Maqedonisht, sepse edhe unë kam mësu maqedonisht edhe fëmijën tim e kam regjistru”u shpreh një banore.

“Nëse nuk e ndërtojnë do ti heq prej shkollës, e di që i kam në shtëpi, nuk po mundem çdo ditë dy fëmijët e vegjël me i marr që me dërgu djalin në shkollë, nuk kanë transport. Nuk kam llogari që për çdo ditë me shku e me ardh, me marr fëmijën tim”, tha një banore.

Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button