Vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Titanik”, dëshmojnë dëshmitarët

Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, të propozuar nga prokuroria, në Gjykatën Themelore Penale vazhdon gjykimi për rastin “Titanik”.

Dëshmitari i parë Pançe Kocev nga Negotina, në pyetjen e prokurorit publik Lile Stefanova, se a ka donuar ndonjëherë mjete në të holla për ndonjë parti politike, tha “jo asnjëherë nuk kam donuar”.

I pyetur se a e ka ditur se ndonjëherë janë donuar mjete në emër të tij te ndonjë partie politike, dëshmitari, gjithashtu, tha se nuk e di për një gjë të tillë.

E dyta dëshmoi Kristina Velevska nga Shkupi, e cila tha se në periudhën 2011-2014 ka paguar anëtarësi dhe donacione për një parti politike.

“Pa marrë parasysh a është anëtarësi ose donacion. Kam paguar edhe personalisht dhe u kam dhënë personave të cilët paguanin për mua”, tha dëshmitari.

Për vlerat e pagesave, tha se nuk i kujtohet, sepse ishte shumë më herët dhe në disa raste.
“Anëtarësinë, në besim të plotë ia kam dhënë arkëtarit të komitetit vendor ose sekretarit. Ndonjëherë kam marrë vërtetim për pagesë, ndonjëherë jo. Paratë i paguaja për VMRO-DPMNE”, deklaroi Velevska.

Në pyetjen e tërthortë të Ilia Dimovskit, se a mund të konkludojë se njeh shumë persona nga komiteti vendor të cilët kishin dhuruar mjete për partinë, dëshmitari tha po.

Lënda gjendet në procedurën dëshmuese dhe e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është Lile Stefanova.

Në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili është në arrati, Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Themelkko, Leko Ristovski, Kirill Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Alleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata janë të dyshuar për shkelje të të drejtës së zgjedhjes, shkelje ndaj lirisë së përcaktimit të zgjedhësit, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.

LEXO EDHE:

Back to top button