Vazhdon të rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Evropë, afro 200

Numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në rreth 200, njoftuan autoritetet. Ndërkaq, dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Përveç katër shteteve të goditura më së keqi nga përmbytjet – Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – me përmbytje tani po përballen edhe Zvicra, Austria dhe Republika Çeke. Të paktën 156 persona kanë vdekur në Gjermani, në atë që është përshkruar si përmbytjet më të këqija në historinë e këtij shteti. Ndërkaq, numri i viktimave nga përmbytjet në Belgjikë ka arritur në 27. Në Bavari është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. “Shirat dhe stuhitë fatkeqësisht po shkaktojnë dëme të rënda në Austri”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz. Ndërkohë Belgjika ka shpallur 20 korrikun ditë zie për të nderuar viktimat e përmbytjeve. Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe lumenj të fryrë sot në veri dhe jug të Italisë. Përmbytje edhe në Turqi. 6 persona e kanë humbur jetën ndërsa dëmet janë të shumta. Qytetarët kanë evakuuar shtëpitë e tyre dhe janë vendosur në konvikte ose pranë të afërmve të tyre.