Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan – Policia jep versionin zyrtar për ngjarjen
Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan – Policia jep versionin zyrtar për ngjarjen

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
Njësitë policore reaguan menjëherë dhe, sipas policisë, edhe në prani të tyre personi vazhdoi me sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme.
Policia njoftoi se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.
Sipas policisë, para arrestimit, zyrtarët policorë kishin tentuar për rreth pesë deri në gjashtë minuta të komunikonin dhe negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej në stacionin policor.
Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore.
Megjithë tentativën për t’iu larguar policisë, i riu ishte arrestuar.
Ambulanca kishte mbërritur pas tre minutash në vendin e ngjarjes, por ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike. E njëjta është dërguar për ekzaminim.
Policia bën të ditur se, përveç njësive hetimore dhe Prokurorit për Krime të Rënda, në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Të gjitha provat, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, janë dorëzuar për hetim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal dhe trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Katër zyrtarë policorë dhe një rreshter janë suspenduar me rekomandim të IPK-së dhe janë dërguar në mbajtje pas ri-kualifikimit të veprës.
Policia e Kosovës thotë se është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit, dhe se rezultatet përfundimtare do të dihen pas përfundimit të hetimeve dhe raportit të obduksionit.