Vdekja e foshnjes 14-muajshe, familjarët paralajmërojnë procedurë juridike

Vdekja e foshnjes 14-muajshe, familjarët paralajmërojnë procedurë juridike

Gazetare: Melihate Rustemi

Një foshnje 14 muajshe ka ndërruar jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Familjarët shprehen të revoltuar ndaj pakujdesisë së mjekëve të caktuar në Klinikën e Fëmijëve të cilët nuk përfillën simptomat që për disa ditë i kishte shfaqur foshnja. Sipas familjarëve, pavarësisht që foshnja ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore ajo është refuzuar të shtrohet për trajtim në spital. Është lëshuar për trajtim në shtëpi me arsyetimin e mjekëve se nuk bëhet fjalë për simptoma serioze. Madje, familjarët dyshojnë për fshirje të dosjes nga Klinika e Fëmijëve me qëllim të humbjes së dëshmive.

“E ka dërgu vëllau dy herë në spitalin e shtetit, e kanë kthy, ja kanë shkru disa ila¬çe, disa barna, nuk është bë mirë. Ndërkohë, e ka dërgu edhe te spitali “Kozle”, aty e kanë ndalë. Prej aty, në ora dy të natës e kanë dërgu në emërgjencë se ju ka rëndu shëndeti pastaj brenda gjys ore ka ndërru jetë. Dyshimet e tona janë se nga spitali I shtetit është fshi e gjithë historia se ka qenë fëmija në spital. Mjeku amë I veti e ka zbulu prej sistemit të vet që fëmija ku ka qenë, si është pranu dhe me çfarë barna është trajtu nga spitali dhe pse nuk e kanë pranu. Vëllau e ka pyet mjekun nëse ishte pranu fëmija para dy ose tre ditësh a ishte shëru, ai e ka pranu po”, tha në një linjë telefonike Nusret Sulisi, familjar.

Drejtori I Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi tha se për të gjitha dilemat rreth asaj se mund të ketë pasur lëshime në trajtimin e foshnjës do të përgjigjen institucionet përkatëse pas të kenë ndërmarrin të gjitha masat e duhura Memedi tha se foshnja ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore të përgjithshme në momentin që është transferuar nga Klinika “Kozle”.

“Në orët e hershme të mëngjesit nga Klinika” Kozle” është transferuar një foshnje 14 muajshe pas qëndrimit një ditor atje me diagnozë të rëndë, infeksion të organeve respiratore, në gjendje të rëndë të përgjithshme, me funksione vitale te prekura Ka patur një përkeqësim të shpejte me veshtiresi ne frymemarrje, me nje rënie të oksigjenit, duke u kthyer ne blu. Kolegët nga Kozle thirrën mjekët kujdestar në klinikën tonë, njoftuan për transferimin e fëmijës. Në klinikën e sëmundjeve të fëmijëve u shtrua në orën 03.40 minuta në repartin për terapi intensive, në pranim ishte në gjendje të rëndë, cianotike me saturim shumë të ulët oksigjeni 40% i dekompensuar. Gjatë intubimit ai ka pësuar arrest kardiak, më pas është reanimuar sipas protokollit, por pa përgjigje në procedurën e reanimacionit. Ka ndërruar jetë në orën 04.20 minuta”, tha Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës “Kozle”.

Memedi tha se trupi i foshnjës është dërguar për autopsi, pas së cilës do të përcaktohen shkaqet e vdekjes, Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISSH) Kiril Lazov tashmë ka deklaruar se do të bëjë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet shëndetësore ku më parë është trajtuar foshnja e ndjerë, për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë paralajmëruar se për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës të objekteve shëndetësore, si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor. Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë do të iniciojë një komision për mbikëqyrje eksperte në të dyja institucionet shëndetësore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button