Vdekja e hendbollistit kroat – Flet për Alsat, pronari i klubit të natës, tregon për ngjarjen tragjike

Vdekja e hendbollistit kroat – Flet për Alsat, pronari i klubit të natës, tregon për ngjarjen tragjike

Gazetar: Adnan Qaili

Hendbollisti kroat Denis Toth ishte i shoqëruar me tre të dyshuarit në klubin e natës në Shkup.

Sipas dëshmitarëve 28 vjeçi Toth natën e 7 prillit kur ndodhi tragjedia në parkun e qytetit ishte në shoqëri të 19 vjeçares K.L. dhe dy djemve të tjerë А.К. 22 vjeç dhe А.Gj. 28 vjeç.

Nga një sherr mes tyre kroati mbeti i vdekur, vajza 19 vjeçe dhe djali 22 vjeç janë arrestuar, ndërsa i dyshuari i parë 28 vjeç është në arrati.

Pronari i klubit rrëfeu për Alsat, se brenda objektit nuk ka pasur përleshje, sipas tij gjithçka ndodhi jashtë.

“Ata dolën së bashku për të hyrë në taksi. Ata kanë hyrë në taxi, para se të nisen diçka janë zënë, hendbollisti me atë vajzën. Kroati ka dal nga taxi, ajo vajza doli dhe e ka shtyrë. Doli edhe një tjetër djalë që ishte me ta dhe e goditi një herë dhe aq. Një boks, por keq ka rënë me kokë në asfalt”, tha Pronar i klubit.

Ai tha se gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së klubit, por edhe nga kamerat Safe City që janë përreth shëtitores së Lumit Vardar. Dëshmitari tha se ata kanë qenë të dehur dhe situata eskaloi. Por këto informacione janë ndryshe nga raporti i prokurorisë ku thuhet se tre të dyshuarit kanë vazhduar ta godasin në kokë me grushte e shqelma dhe më pas pa e ndihmuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Në orën 3:30 në mëngjesin e kobshëm të së enjtes, hendbollisti kroat i dal nga klubi natës me shoqëruesen dhe dy shokë, ku sipas dëshmitarëve janë futur fillimisht në taxi për të lëvizur dhe pastaj kanë dal dhe ka filluar një sherr dhe pikërisht aty është goditur personi dhe ka rënë pa shenja jete”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Mjekët në Qendrën Emergjente thanë se i kanë bërë gjitha përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën 28 vjeçarit. Reanimacioni i ktheu pulsin e zemrës për gjysmë ore, por klinikisht truri i kishte pushuar së funksionuari. Rezultatet e autopsisë nga Instituti mjeko ligjor, hendbollistin e diagnostikuan me katër ndrydhje në tru. Prokuroria gjithashtu tha se ka prova të forta nga kamerat e sigurisë dhe deklaratat e disa dëshmitarëve. Por, për dy të arrestuarit, që janë në paraburgim 30 ditorë nuk zbuluan detaje se si e rrëfyen tragjedinë. “U soll urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se tre të dyshuarit, kanë kryer veprën penale Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 i nenit 22 të Kodit Penal”, thon nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

I dyshuari kryesor ende mbetet i pa kapshëm për organet e hetuesisë.

“Sipas të dhënave operative zyrtarët policorë janë në kërkim të të dyshuarit A.Gj. por për hirë të hetimit nuk mund të zbulojmë detaje. Nëse deri nesër nuk kapet, do të lëshojmë urdhër arrest ndërkombëtar”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Hendbollisti Denis Toth, i cili ishte lojtar i K.H. Butel të Shkupit, nesër do të varroset në vendlindjen e tij në qytezën Gjakovë të Kroacisë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button