Vdekja e ngadaltë e Shengenit

Në pranverën e vitit të kaluar, kur vendet nxituan të mbyllnin kufijtë e tyre kombëtarë për udhëtimet ndërshtetërore pa u koordinuar aspak me fqinjët e tyre, dhe lëre më pastaj me vendet e tjera evropiane, kjo ishte disi e kuptueshme.

Në atë kohë situata ishte e re dhe e frikshme. Por tani kjo situatë po vazhdon prej gati 1 viti, dhe gjërat nuk kanë ndryshuar shumë për mirë. Vendet po marrin ende vendime individuale dhe vetëm sipas interesave të tyre.

Vendimet e tyre të pakoordinuara hyjnë në fuqi shumë shpejt, duke shkaktuar konfuzion, dhe duke ndikuar në lëvizjet e shumë njerëzve. Kjo qasje po vret arritjen më të madhe të Evropës – parimin tonë të përbashkët të lëvizjes së lirë të njerëzve.

Dhe pavarësisht rrethanave, kjo është diçka e papranueshme. Dikur flitej për koordinimin e vendimeve kombëtare, dhe për rolin koordinues të Komisionit Evropian. Në realitet, nuk ka asgjë të tillë. Rezultati është që Evropa e sotme, është si një jorgan i qepur me materiale me ngjyra të ndryshme.

Ka disa vende që në thelb kanë ndaluar tërësisht hyrjen e shtetasve të vendeve të tjera të BE-së. Për shembull, fqinji verior i Estonisë, Finlanda, nuk lejon hyrjen në vend edhe të njerëzve me një test negativ ndaj Covid-19.

Kushtet e hyrjes në të ashtuquajturën zonë e lëvizjes së lirë të BE-së, ndryshojnë shumë nga njëri vend tek tjetri. Duke filluar nga ajo nëse është apo jo e nevojshme t’u tregohet autoriteteve kufitare një rezultat negativ i testit të Covid-19.

Në disa raste, kërkohet një test, që nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë. Në vendet e tjera, testi nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë, në disa raste edhe 24 orë. Në disa vende, kërkohen karantinim për 7 ditë. Në disa vende të tjera rreth 10 ditë.

Në disa vende, duhet bërë një test tjetër brenda disa ditësh. Në disa vende mund të futen vetëm përfaqësues të kategorive të kufizuara, të tjerët lejojnë rikthimin vetëm të qytetarëve të tyre. Evropa nuk ka përjetuar prej dekadash një kaos të tillë sa i përket rregullave.

Kufizimet e udhëtimit vendosen herë pas here,bazuar të nivelit mesatar kombëtar të infeksionit gjatë 2 javëve të fundit. Sidoqoftë, në shumë raste ndryshimet rajonale brenda një vendi janë shumë herë më të mëdha, sesa ato sipas mesatareve midis vendeve.

Për shembull, në Estoni situata e Covid-19 është tani më e qetë në të gjithë vendin. Por vetëm disa javë më parë, Talini kishte një normë shumë më të lartë se shumë rajone të tjera të vendit. Një situatë e ngjashme është edhe në Finlandë, ku shkalla e infektimit në Helsinki dhe rrethina është shumë herë më e lartë se në Lapland.

Por ajo që përdoret për të justifikuar kufizimet e hyrjes është mesatarja kombëtare, e cila është shumë çorientuese për të pasur një panoramë më objektive. Unë nuk jam shumë optimist se edhe me qëllimet më të mira, Komisioni Evropian apo Këshilli i BE-së do të jetë në gjendje të harmonizojë sërish rregullat brenda Evropës.

Shqetësimi afatgjatë është se mosbesimi midis fqinjëve, dhe gjithashtu më gjerësisht midis vendeve evropiane, është shumë i pranishëm dhe mund të mos zhduket kur të largohet pandemia. Fatkeqësisht, ky mosbesim do të lërë gjurmë për një kohë të gjatë.

Për ta përmbledhur problemin  e kufizimeve të udhëtimit në Evropë, është e qartë se nuk është mësuar asgjë nga përvoja e pranverës 2020,dhe mbi rrezikun e shkatërrimit të zonës Shengen të lëvizjes së lirë. Brenda 1 viti, nuk është miratuar praktikisht asnjë mekanizëm për të krijuar një bazë sipas së cilës vendet të respektojnë fqinjët e tyre dhe vendet e tjera, duke vendosur kufizime të përbashkëta dhe në një mënyrë më të harmonizuar.

Asgjë e tillë nuk po ndodh. Ka ende shpresë, që ritmi i vaksinimit të rritet, dhe që virusi do të tërhiqet, dhe se pastaj do të jetë e mundur që të rikthehemi në kohërat para-pandemisë. Megjithëse, po e them edhe një herë, se dëmi që ka lindur tashmë në Evropë nga mosbesimi, nuk mund të zhduket për disa ditë, javë apo edhe më gjatë.

Prandaj minimumi që duhet të presim nga Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, është të parandalojnë kolapsin e plotë të zonës së lëvizjes së lirë në BE. Tek e fundit, vendet evropiane nuk janë aq të ndryshme sa të mund të justifikojnë kaosin aktual dhe vazhdimin e surprizave brenda natës për rregullat dhe kërkesat e reja. Me një frymë kaq jo konstruktive, zona Shengen e lëvizjes së lirë, nuk do të kishte qenë kurrë e mundur.

Shënim: Eurodeputeti Urmas Paet, është nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian./Nga Urmas Paet, Euractiv

LEXO EDHE:

Back to top button