Vedat Muriqi rikthehet në Turqi, ka ofertë nga dy klubet gjigande
Sipas një raportimi të fundit nga mediumi turk “Aksam”, Vedat Muriqi duket se është shumë pranë largimit nga Majorka dhe pritet rikthimi i tij në Superligën e Turqisë. Muriqi i cili paraprakisht ka qenë pjesë e Fenerbahçes, nga i cili u largua në vitin 2020, pritet që të rikthehet sërish në elitën e futbollit turk, ku tashmë janë dhënë edhe disa detaje që fshihen prapa kësaj lëvizje.
Bëhet fjalë për dy gjigantët turk Gallatasaraj dhe Fenerbahçe që janë në ‘luftë’ me njëra-tjetrën për të siguruar shërbimet e reprezentuesit tonë. Muriqi po shkëlqen me fanellën e Majorkas teksa kujtojmë se sezonin e kaluar e përfundoi me 7 gola dhe 2 asistime, ndërsa këtë sezon ka realizuar 2 gola dhe ka 1 asistim.
Gallatasaraj po e kërkon sulmuesin për shkak të lëndimit të rëndë që ka pësuar Mauro Ikardi, ndërkohë drejtuesit e Fenerbahçes nuk po i bind marokeni Jousef En-Nesiri. Gjithnjë sipas raportimit, Muriqi ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ për rikthimin në Turqi, pasi tashmë e njeh ambientin atje. Për transferimin e Muriqit do të duhej që në drejtim të Maljorkas të paguhen rreth 5 milionë euro, ndërsa lojtari pritet që të nënshkruajë një kontratë tri vjeçare.