Vendi s’ka gjykatës e as kompani për testimin psikik të kandidatëve

Vendi s’ka gjykatës e as kompani për testimin psikik të kandidatëve

Gazetar: Ardit Ramadani

Derisa vendi ka nevojë alarmante për gjykatës, nuk ka kompani të akredituar që mund të testojë vlerat morale dhe mirëqenien psikike të kandidatëve për gjykatës në Maqedoninë e Veriut. Për shkak se kalimi i këtij testi me sukses është obligim ligjor për të kryer funksionin e gjykatësit, Këshilli Gjyqësor aktualisht e ka të pamundur që t’i përmbushë vendet e lira dhe të mundësojë funksionim normal të Gjyqësorit, duke shmangur vjetërsimin e lëndëve gjyqësore dhe zvarritjen e tyre.

“Gjykatat janë në deficit, ndërsa nuk mund të emërohen të rinj për shkak të këtyre arsyeve. Më e lehta është që të nënshkruajmë një marrëveshje të re me dikë që do t’i realizojë testet, mirëpo nuk kemi palë që mund t’i përgjigjet ligjit. Kjo për ne është pozicion mat. Nuk bëhet fjalë për pengesë teknike, por ligjore”, tha Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Në pritje të zgjidhjes së kësaj problematike për të marrë funksionin e gjykatësit janë aktualisht 8 gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, tridhjetë gjykatës të sapo diplomuar nga Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik dhe dy udhëheqës të gjykatave, pra gjithsej 40 vende.

Nga ana tjetër Ligji për Këshillin Gjyqësor e thotë qartë se kompania e cila mund t’i realizojë këto teste, duhet patjetër të jetë e akredituar, ALSAT mëson se vendi s’ka pasur asnjëherë kompani të tillë të akredituar ndërsa nga viti 2015 deri në vitin 2022 një institut i pa-akredituar për këtë i ka kryer këto testime, me marrëveshje paraprake me Këshillin Gjyqësor.

Kjo vendos në pikëpyetje në qoftë se zgjedhja e gjykatësve të cilat i janë nënshtruar këtij testi në kundërshtim me dispozitat ligjore për zgjedhjen e gjykatësve, mund të kontestohet dhe të njëjtit të detyrohen t’i nënshtrohen një testi të ri pas gjetjes së zgjidhjes përfundimtare.

“Ne nuk jemi kompetent që të vlerësojmë në qoftë se testimet për gjykatës nga viti 2015 deri në vitin 2022 janë të vlefshme ose jo, mirëpo është fakt që momentalisht nuk kemi një kompani të akredituar që mund të nënshkruajmë marrëveshje për realizimin e testeve, edhe pse kjo është kusht ligjor”, u shpreh Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Ligji gjithashtu e thekson se testi psikologjik dhe i integritetit duhet të jetë në formën e njohur ndërkombëtarisht dhe të realizohet në më së paku një prej shteteve të BE-së.

Vendi ka nevojë për gjithsej 639 gjykatës ndërsa aktualisht ka vetëm 393. Më alarmante është gjendja në Gjykatën Themelore në Berovë dhe Krueshevë ku nuk ka asnjë gjykatës nga 3 të paraparë, në atë të Vinicës ku ka vetëm 1 gjykatës nga 3 të paraparë, në Kratovë ka 1, nevojiten 3 dhe tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button