Vendi vazhdon të përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta, shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore
Vendi vazhdon të përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta, shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore

Gazetar: Avni Tahiri
Shkaku i temperaturave të larta dhe të nxehtit, është shtuar numri i qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë në urgjencë. Në 24 orët e fundit, janë shënuar mbi 60 raste, shumica e pacientëve kanë kërkuar ndihmë për shkak të temperaturave të larta.
Sipas mjekëve të urgjencës, në numrin 194 në 24 orët e fundit ndihmë kanë kërkuar dhjetëra persona. Shumica tyre për shkak të tensioni të ulët të gjakut, ndërsa 8 pacientë kanë pësuar kolaps nga i nxehti dhe temperaturat e larta.
“Në 24 orët e fundit, ndihmë në urgjencë në numrin 194 kanë kërkuar 66 qytetarë. 21 prej tyre kanë qenë raste urgjente ndërsa 8 pacientë kanë pësuar kolaps si shkak i tensionit të ulët”, thonë nga Urgjenca.
I nxehti përvëlues prej ditësh ka zbrazur rrugët. Ndërsa ata që e kanë patjetër të kryejnë obligimet e tyre kërkojnë hije për t’iu shmangur rrezeve të diellit.
Për shkak të temperaturave tejet larta në fuqi vazhdojnë të jenë rekomandimet e Qeverisë, me të cilat përjashtohen nga detyrimet e punës shtatzënat dhe personat mbi 60 vjeç, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të shmangin daljen jashtë nga ora 11 deri në 17.
Po ashtu, punëdhënësit duhet të sigurojë kushte në përputhje me planin dhe veprimin: ambiente me temperaturë deri në 25 gradë celsius. Masa mbetet në fuqi deri më 8 korrik, kur dhe pritet rënie e lehtë e temperaturave.
Ndërkohë për shkak të të nxehtit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka rekomanduar kujdes me qëllim që të shmanget helmimi nga ushqimi. Sipas Agjencisë së Ushqimit është e nevojshme të bëhet zgjedhja dhe blerja e duhur, të sigurohen kushtet e duhura të transportit dhe ruajtjes. Të merret në konsideratë data e skadimit dhe ruajtja e duhur e ushqimit, të blihet ushqim nga vende ku ka kushte të përshtatshme ruajtjeje dhe ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore ruhen në frigorifer./Alsat.mk