Venko Filipçe u zgjodh për kryetar të LSDM-së

Venko Filipçe u zgjodh për kryetar të LSDM-së

Gazetar: Adrian Kerimi

Venko Filipçe u zgjodh për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM). Ish nënkryetari i këtij subjekti në kohën e Zoran Zaevit dhe ish ministri i Shëndetësisë mori besimin e anëtarëve të LSDM-së në zgjedhje të drejtpërdrejta ku për kundërkandidat kishte Jovan Despotovskin dhe Alensandar Bajdevskin. Filipçe tha se LSDM-në e pret një punë e madhe dhe reforma thelbësore për riorganizim.

“Tani është koha për të ripërtëritjen e LSDM-së dhe shumë punë. Kemi pak kohë për festë. Vijon periudha e riorganizimit dhe reformave në përputhje me premtimet e mia programore mbi të cilat jam i sigurt se do të fiton përsëri. Kjo nuk do të ndodhë as shpejtë dhe as lehtë. Por unë e di që nuk ka mënyrë tjetër se si ta kthejmë besimin tek anëtarët përveç se për mes ndryshimeve rrënjësore. Qytetarët këtë e dinë dhe nëse ne nuk i bëjmë ato ndryshime, anëtarët nuk do të na kthejnë besimin”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja e ka cilësuar këtë ndryshim të kryesisë së Socialdemokratëve si farsë, duke theksuar se Filipçe është vetëm kujdestar i kolltukut të Zoran Zaevit. Sipas VMRO-së zgjedhja e tij për kryetar me 9 mijë vota nuk e shpëton atë nga përgjegjësia penale.

“Filipçe nuk është lider i ri, por kujdestar i kolltukut të Zoran Zaevit. Ky njeri është përgjegjës për tmerrin në pandemi ku mijëra qytetarë humbën jetën, drejtpërdrejtë përgjegjës për tenderët e dyshimtë ku referenca për përzgjedhje është një e-mail nga “Zhuti” i cili fitoi miliona nga sterilizimi, apo vila e tij në Vodno në afërsi të drejtorit të Klinikës apo spitali modular për të cilin Filipçe tentonte të na bind se kablloja është arsyeja e tragjedisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Filipçe erdhi në krye të LSDM-së në kohën kur subjekti mbeti me 18 deputetë dhe pak komuna, pas një debakli zgjedhor në lokale, parlamentare dhe presidenciale. Në programin e tij si kandidat për kryetar, Filipçe ka premtuar rikthimin e besimit të qytetarëve në konceptin socialdemokrat, vazhdimin e rrugës se pa kompromis për integrim në BE dhe unitetit kombëtar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button