Veriu mbushet me flamuj serbë për festën e re të Serbisë (FOTO)

Mijëra flamuj të Serbisë janë vendosur në katër komunat veriore të Kosovës për nder të festës së re në Serbi, “ditës së unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar”, raporton KosovaPress.
Kjo festë shënohet për herë të parë në të gjitha vendet e banuara me serbë.
Burime të KosovaPressit bëjnë të ditur se flamujt kanë hyrë në Kosovë ilegalisht, përmes rrugëve alternative afër kufirit të Jarinjes.
Me urdhër të qeverisë së Serbisë, ato kanë filluar sot të vendosen gjithandej rrugëve të katër komunave veriore të vendit, për nder të festës që do të shënohet më 15 shtator.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka thënë se s’ka informata për futjen ilegale të mijëra flamujve.
Në anën tjetër, kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi të krerëve shtetërorë të Serbisë të mbajtur ditë më parë në Beograd, përmes një konference për media, ka njoftuar publikun rreth kësaj feste për të cilën tha se tash e tutje do të kremtohet më 15 shtator në të gjitha trevat e banuara me serbë.
“Kemi marrë vendim për një festë të re shtetërore të cilin do ta zbatojmë në vepër. Kjo është dita e unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar, që do të festohet bashkërisht në Serbi, Republikën serbe dhe në të gjitha hapësirat serbe në tërë botën”, pati thënë mes tjerash Vuçiq.