Vërshime në gjithë Evropën, përmbytet Kontinenti i Vjetër

Numri i të vdekurve nga përmbytjet katastrofike në Evropë vazhdon të rritet, me qindra persona edhe më tej vazhdojnë të jenë të zhdukur. Operacione të mëdha pastrimi po zhvillohen në të katër vendet, por mbettë rreziku i përmbytjeve të mëtejshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Disa udhëheqës evropianë kanë fajësuar ndryshimet klimatike, duke thënë se kjo i bën ngjarjet ekstreme të motit më të shpeshta dhe më pak të parashikueshme.

Këtu tregojmë historinë e një prej katastrofave më të këqija të motit që goditi kontinentin në kohët e fundit.

Holanda
Vendi më verior që goditet nga stuhia është Holanda, me mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve. Në disa pjesë jugore të vendit, vullnetarët punuan 24 orë për të ndërtuar barriera dhe për të mbrojtur rrugët. Sidoqoftë, argjinatura përgjatë Kanalit Juliana pranë qytetit të Limburg u shemb të premten pasdite, duke detyruar ekspertët e sigurisë të kërkojnë nga njerëzit të largohen nga disa fshatra.

Në lumin Meuse, autoritetet filluan me evakuimin e një pjesë të mëdha të qytetit Venlo të premten pasdite, ata më parë kishin paralajmëruar njerëzit në qytetin më të vogël të Meersen që të linin shtëpitë e tyre.

Në paralajmërim thuhej: “Ka një vrimë të madhe në argjinaturë… Lëreni menjëherë shtëpinë tuaj dhe shkoni në vend të sigurt”.

Kryeministri holandez i përkohshëm Mark Rutte, i cili vizitoi zonën të Premten, tha se rajoni po përballej me “tre katastrofa”.
“Së pari, kishte një koronë, tani këto përmbytje dhe së shpejti njerëzit do të duhet të punojnë në pastrimin dhe rikuperimin.”

Belgjika
Belgjika është ndër vendet më të prekura nga përmbytjet në kontinent. Numri i të vdekurve në këtë vend shkoi në 12 të shtunën, dhe shumë të tjerë evidentohen të zhdukur. Hekurudha dhe rrugë të shumta mbetën të bllokuara në pjesën lindore të vendit.

E marta është shpallur ditë zie kombëtare.

Kryeministri Alexander de Cru tha: “Ajo që supozohej të ishte një ditë e bukur vere papritur u kthye në një ditë të zymtë dhe jashtëzakonisht të trishtuar për bashkëqytetarët tanë. Këto janë rrethana të jashtëzakonshme që vendi ynë nuk i ka parë më parë,” shtoi ai.

Disa pjesë të vendit kanë parë reshje shiu që nuk janë mbajtur mend për më shumë se 200 vjet.

Belgët panë me nervozizëm derisa lumenjtë që rrjedhin përmes qytetit lindor belg të Liege vazhdonin të ngriheshin, duke kërcënuar të përmbytnin qytetin. Në Verviers, në lindje të vendit, një lumë i madh ende rrjedh nëpër rrugët e qytetit, me banorët që inspektojnë shtëpitë dhe makinat e tyre të përmbytura pasi niveli i ujit u rrit me 10 metra.

Më shumë se 20,000 njerëz në rajonin jugor të Walloon-it mbetën pa energji elektrike dhe shumë më tepër pa ujë të pijshëm.

Të paktën 10 shtëpi u shembën në Pepinster, i cili ishte një nga disa qytete dhe fshatra të zhytur ndërsa përrenjtë e ujit përfshinin vendbanimet. Mbreti dhe Mbretëresha e Belgjikës vizituan Pepinster të Premten, duke ecur nëpër rrugët e përmbytura.

Belgjika kërkoi ndihmë nga BE-ja për reagim ndaj katastrofave dhe mori ndihmë nga Luksemburgu dhe Hollanda, pavarësisht nga fakti se këto vende gjithashtu u prekën nga përmbytjet.

Gjermania
Vendi më i prekur për sa i përket vdekjeve është Gjermania. Deri të shtunën, 143 njerëz kishin vdekur në Gjermaninë perëndimore në atë që është quajtur katastrofa më e madhe natyrore e vendit në më shumë se gjysmë shekulli.

Autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për ata që jetojnë pranë digës në qytetin Wassenberg, pranë Këlnit. Qindra janë evakuuar mes frikës se muri i saj mund të shembet.

Lumi Ar, zakonisht një degë më e vogël e Rajnës, shkaktoi dëmet më të mëdha ndërsa ujërat e përmbytjeve depërtuan nëpër luginë dhe përmbytën gjithçka përpara saj.

Shpëtuesit vazhduan të kërkonin për të mbijetuarit të Shtunën, megjithëse nivelet e ujit mbetën të larta në shumë qytete dhe shtëpi. Rreth 1,000 njerëz janë ende të zhdukur dhe komunitetet e tëra janë prerë.

Përpjekje mbinjerëzore u bënë për të shpëtuar viktimat në Erfstadt, në jugperëndim të Këlnit, të premten, kur njerëzit u bllokuan kur toka dhe shtëpitë e tyre u shembën. Zyrtarët atje kishin frikë se shumë persona nuk kishin arritur të shpëtonin, por megjithatë asnjë viktimë e re nuk u konfirmua deri të shtunën në mëngjes.

Në të gjithë zonat e prekura, si në Belgjikë, shumë zona janë ende pa energji elektrike dhe telefon. Autoritetet thonë se dëmi ekonomik do të jetë i madh, me qindra ndërtesa të dëmtuara.

Zvicra
Zvicra nuk ka aq statistika të zeza sa Gjermania ose Belgjika, por të martën pësoi një nga stuhitë më të forta në historinë e saj të fundit. Stuhi të forta në kryeqytetin e saj financiar Cyrih, përmbytje të mëdha dhe kaos trafiku.

Pjesë të rrjetit të autobusëve dhe tramvajit në Cyrih ndaluan sepse pemët e rrëzuara bllokuan linjat dhe disa rrugë u përmbytën. Disa lumenj dhe liqene dolën nga shtrati i tyre si rezultat i shiut të madh.

Përmbytjet e mëdha të enjten përmbytën bodrumet dhe shkatërruan urat e vogla në fshatrat veriore të Schleitheim dhe Begjengen.

Autoritetet ngritën alarmin e përmbytjes në Liqenin e Lucernit në nivelin më të lartë dhe ndaluan të gjithë transportin. Periferia e Valleselen ka paralajmëruar njerëzit të qëndrojnë larg lumenjve ndërsa nivelet e ujit rriten.

Shërbimi meteorologjik tha se shiu i mëtejshëm ishte parashikuar dhe përmbytjet kishin gjasa të përkeqësoheshin, veçanërisht rreth liqeneve dhe lumenjve. Paralajmërohen edhe rrëshqitje të tokës.

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button