Verstapen: Gara në Interlagos ishte e rrezikshme, por bëmë zgjedhjet e duhura

Maks Verstapeni është shumë pranë fitimit të titullit të katërt kampion bote në Formula 1. Triumfi në Brazil, në një pistë të lagur (Interlagos), në një garë që e nisi nga vendi i 17-të, ishte një leksion i mirë për rivalët e tij.

Piloti holandez i “Red Bull”-it ka kujtuar atë që ndodhi gjatë ditës së tij, që nisi keq dhe përfundoi shkëlqyeshëm. Fillimisht ai zhgënjeu në provat zyrtare, ku u eliminua në sesionin e dytë dhe pas penalizimit me 5 pozicione e nisi garën nga vendet e fundit.

“As nuk di nga të filloj sepse emocionet e mia shkuan nga përpjekja për të shkatërruar garazhin në fitimin e garës. Fillova në vendin e 17-të dhe e dija se mund të bëja një garë të mirë, por për mua ishte e qartë nga kualifikimi se ishte e mundur të ndiqja vetëm një linjë dhe se parakalimi do të ishte mjaft i vështirë”, tha Verstapen.

 

“Megjithatë, bëra një start të mirë dhe një xhiro të mirë të pare dhe kjo më ndihmoi. Strategjia për të qëndruar jashtë me goma të ndërmjetme shumë të konsumuara, pavarësisht shiut që binte, ishte vendimtare. Një bast që rezultoi i suksesshëm. Kemi qëndruar të qetë duke ditur që gara ishte ende shumë e gjatë”, shtoi holandezi.

 

“Ishte e rrezikshme, por bëmë zgjedhjet e duhura. Në një moment ishte qartë se duhej një flamur i kuq, sepse ishte e pamundur të pilotohej edhe me goma ekstreme të lagura. Për shkak të ujit të madh në pistë, thuajse më dukej sikur ishe në një skaf,” tha në fund Verstapen.

LEXO EDHE:

Back to top button