Verstapen: Na duhet një kohë e mirë në provat zyrtare

Pas anulimit të garës së “Imola”-s për shkak të kushteve atmosferike dhe përmbytjeve në zonën e Emilia-Romanja, ku ndodhet pista e Imola-s, Botërori i Formula 1 do të spostohet këtë fundjavë në pistën qytetase të Montekarlo. Një klasike e garave të F1, një pistë speciale, e ngushtë e ku gjithçka mund të vendoset nga rezultati i provave zyrtare.
“E dimë që në Montekarlo është shumë e rëndësishme të arrish një kohë të mirë në provat zyrtare. Ne do të përpiqemi të jemi më të mirët ditën e shtunë dhe më pas të menaxhojmë rezultatin të dielën. Një pistë e ngushtë, ku parakalimet janë të vështira, ndaj gjithçka do të vendoset të shtunën”, tha Max Verstapen, piloti i “Red Bull”-it.
“Nuk ka për të qenë e lehtë të realizosh një xhiro të mirë, pasi këtu në dy sezonet e fundit ka fluturuar Ferrari me Sharll Leklerkun. Gjithashtu, strategjia do të ndikojë në këtë garë, pasi mund të bëjmë një garë ndryshe nga rivalët. Kjo është një garë e shtëpisë për mua, pasi jetoj këtu, ndaj do të kem mjaft tifozë që nuk dua t’i zhgënjen”, i shpreh Verstapen.