Verstapen: Në Montekarlo pothuajse po bënim ‘Mario Kart’

Maks Verstapen nuk mendon se funksionoi eksperimenti i Formulës 1 me rregullin e gomave për të gjallëruar Çmimin e Madh të Monakos. Holandezi shprehet se rregullat e detyrueshme me dy ndalesa në bokse e shndërruan Çmimin e Madh të Monakos të F1 si në videolojën “Mario Kart”.
Në një përpjekje për të shmangur një garë të mërzitshme, pas asaj të vitit 2024, në të cilën 10 pilotët e parë të kualifikueseve e përfunduan garën në të njëjtën renditje që nisën, F1 vendosi të imponojë një rregull që i detyronte makinat të përdornin tri grupe të ndryshme gomash, pra duke bërë të detyrueshme dy ndalesa në bokse.
Ndalesa shtesë në boks i shtoi rrezik garës dhe shkaktoi taktika të pazakonta, me makinat Racing Bulls dhe Uilliams që drejtonin ngadalë për të krijuar boshllëqe për shokët e tyre të ekipit. Ndërkohë, Vershtapen po priste deri në xhiron e fundit për të bërë ndalesën e tij të dytë me shpresën se një flamur i kuq i vonë do t’i jepte një shans për të ndërruar gomat falas dhe për të fituar garën, të cilën në fund e mbylli në pozicionin e katërt. Vershtapen pranoi se F1 dhe FIA duhej të provonin diçka për ta bërë garën e Monakos më interesante, por e thotë hapur se kjo gjë nuk u arrit.
“Sigurisht që e kuptoj, por nuk mendoj se ka funksionuar. Nuk mund të garosh këtu gjithsesi, kështu që nuk ka rëndësi nëse bën 1 ndalesë apo 10. Mendoj se këtu, me një makinë të Formulës, 1 mund të parakalosh vetëm një makinë të Formulës 2”, deklaron fillimisht piloti i Red Bullit. Katër herë kampioni i Botës, i cili si gjithnjë flet pa doreza, nuk i kursen as batutat, teksa konteston rregullat.
“Pothuajse po bënim ‘Mario Kart’. Pastaj duhet të instalojmë pjesë në makinë. Ndoshta mund ta provojnë të hedhin banane në pistë, nuk e di”, shprehet kamponi në fuqi i Formulës 1.
Vershtapeni dhe Red Bulli nuk kishin ritmin e duhur në pistën qytetase të Monakos, një cirkuit që nxori në pah dobësitë e makinës.