VIDEO/ Atletiko përmes penaltive eliminon Interi, Dortmundi kalon në çerekfinale

Emocione dhe dramë në “Vanda Metropolitano”, me Atletiko Madridin që u kualifikua në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, pasi eliminoi Interin me penallti. Gjigandët spanjollë fituan 2-1, mes spektaklit, ndërsa ndeshjen e parë e kishin humbur 1-0.  “Los Kolçoneros”, të shtyrë edhe nga brohorimat e jashtëzakonshme të tifozëve në tribuna, e nisën ndeshjen “zjarr”.

Që në minutën e pestë, të besuarit e Simeones iu afruan golit, teksa Zomer i tha “Jo” tentimit të Lino-s. Një aksion i shpejtë i zikaltërve në minutën e 13-të nuk u finalizua si duhet nga Damfris, me mbrojtësin që pavarësisht sprintit, nuk kaloi dot portierin Oblak.

Në minutën e 28-të, Morata provoi me kokë, pa rezultat. Për të ardhur te goli i parë i takimit, Interi ndëshkoi Atletikon në të 32-tën’ me Dimarkon, nëpërmjet një aksioni me shumë pasime. E menjëhershme ishte përgjigja e vendasve. Topi përfundoi mrekullisht te këmbët e Grizmanit që nga fare pranë portës, pas një rrotullimi fantastik,  të vendosë ekuilibrat.

Në minutën e 75-të, Turam mund të kishte mbyllur një herë e mirrë çështjen e kualifikimit, por sulmuesi francez gaboi përballë “gardianit” Oblak. Ankth në fund, shtylla shpëtoi Interin, gjithsesi goli i Depajit, pak më vonë dërgoi ndeshjen në shtesë.

Shtesa nuk prodhoi gola ndërsa nga penalltitë më e saktë u tregua Atletiko, ndërsa portieri Oblak kishte 3 intervenime të sakta.

Një biletë për në çerekfinale e ka prerë edhe Dortmundi. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë ndaj PSV Aindhovenit, në ndeshjen e kthimit “verdhezinjtë” triumfuan 2-0, me golat e Sanço dhe Rojsit.

LEXO EDHE:

Back to top button