VIDEO / Bajerni fiton në spektaklin e golave, triumfojnë Arsenali e Napoli

Liga e Kampionëve sërish solli mjaft nxitje. Në grupin A, Bajern Munihu fitoi mes spektaklit të golave ndaj Man. Junajtedit. Kampionët e Gjermanisë fituan 4-3 në “Allianz Arena” në Munih, për të marrë kështu 3 pikë të vyera. Sane shënoi në minutën e 28-të golin e parë të sfidës, ndërsa Gnabry pak më vonë dyfishoi shifrat me një të majtë që la të shtangur në vend Onanën. “Djajtë e kuq” krijuan iluzionet e një rikthimi të mundshëm në lojë me golin e Hojlund në fillimin e pjesës së dytë, por ekzekutimi i saktë i një penalltie nga Kejn më pas i vrau përfundimisht shpresat e anglezëve për të dalë me pikë nga takimi. Deri në fund, ekipi nga Mançesteri tundi “rrjetën” dy herë me Kasemiron, ndërsa te bavarezët vendosi emrin në listën e golashënuesve edhe Tel.

 

Arsenali është rikthyer në kompeticionin më të rëndësishëm për klube pas disa vitesh mungesë dhe duket se nuk ka humbur shkëlqimin (Grupi B). Të besuarit e Mikel Artetës dhuruan spektakël në Londër duke triumfuar 4-0 ndaj PSV-së dhe duke argëtuar në maksimum tifozët në shkallët e tribunave. “Gunners”-at realizuan 3 herë në pjesën e parë me Saka, Trosar dhe Gabriel Zhesus për të mbyllur një herë e mirë llogaritë e takimit. Në pjesën e dytë, holandezët pësuan edhe të katërtin, këtë herë nga Odegaard. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Sevilja dhe Lens në Spanjë, përfundoi 1-1.

Në grupin D, Interi shmang humbjen në “San Mamesh”, duke barazuar me shifrat 1-1 ndaj Sosiedadit që ishte në epërsi për pjesën më të madhe të takimit. Nënkampionët e Europës e shikuan veten në disavantazh pas vetëm 4 minutash lojë. Një gabim i Bastonit i dhuroi golin baskëve, me Mendez që mposhti mjaft mirë Zomerin, duke dërguar topin pas shpinës së portierit zviceran. 55 minuta lojë edhe për Kristjan Asllanin, i cili luajti titullar, pa lënë ndonjë gjurmë të madhe. Interi barazoi shifrat në fundin e ndeshjes me Turam, goli u anulua për pozicion të parregullt. Italianët arritën të merrnin një pikë në Spanjë pas golit të Martinezit. Ndeshja tjetër e këtij grupi, Benfika-Salzburg u mbyll 0-2 në favor të austriakëve.

Në grupin C, Napoli mundi 2-1 Bragën, por humb shërbimet e Amir Rrahmanit, pasi lojtari dardan doli nga loja shumë shpejt për shkak se ndjeu shqetësime./Balkanweb/

LEXO EDHE:

Back to top button