Pas Gjermanisë dhe Danimarkës, Brazili është skuadra e tretë që siguron kualifikimin në Botërorin 2022, që do të luhet në Katar, pas një viti. Kishte mbetur vetëm matematika për ta ndarë Brazilin nga “Katar 2022”, në kulmin e një grupi kualifikues të dominuar nga kombëtarja e tranerit Tite.
Në ndeshjen në shtëpi kundër Kolumbisë, gjigantët amerikano-jugorë e përfunduan më së miri detyrën në fazën kualifikuese. Brazili siguroi pjesëmarrjen e 22-të në një finale të Kupës së Botës, duke mposhtur Kolumbinë 1-0 në shtëpi, falë golit vendimtar të Lukas Paqueta, gati 20 minuta nga fundi.
Një gol që iu dha brazilianëve fitoren e 11-të në 12 ndeshje kualifikuese. Pesë herë kampionët e botës patën një rrugëtim të pabesueshëm kualifikues si të pamposhtur, duke imponuar diferenca të mëdha për të gjithë ndjekësit.








