VIDEO/ PSZH “shuplakë” Milanit, fitore karakteri e Dortmund në Angli

Liga e Kampionëve dhuroi spektakël dhe gola në ndeshjet e 3-ta të grupeve. Në grupin e ferrit, atë F, PSZH fitoi pastër 3-0 ndaj Milanit në shtëpi. Skuadrat treguan dëshirë të madhe që në minutat e para, por goli i parë i takimit erdhi vetëm pas gjysmë ore lojë. Ishte Kilian Mbape që mposhti Manjan me një gjuajtje fantastike. “Kuqezinjtë” e Piolit u përpoqën që të reagojnë, por e kishin gati të pamundur. Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi i Luis Enrikes dyfishon shifrat me Dembele, festa zgjati pak pasi “VAR” e anuloi për faull. Gjithsesi, vetëm pak minuta më pas, Kollo Muani u gjend në vendin dhe kohën e duhur, për të t’i qetësuar të gjithë në “Parkun e Princërve”. Në fund pati kohë ehde për golin e Kang-In Li. Skuadrës nga Milano nuk i mbetet gjë tjetër tashmë, vetëm të fokusohet në sfidat e radhës.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, në Angli, sfida mes Njukasëllit dhe Dortmundit në Sent Xhejms Park përfundoi 0-1 për verdhezinjtë. Gjermani Nmeça shfrytëzoi në maksimum një asist të Niko Shlotterbekut, për të shtangur prapavijën e Njukasëllit. Sa i takon renditjes, PSZH ka 6 pikë, e ndjekur nga Dortmund dhe Njukasëll me nga 4 pikë. Në fund qëndron Milani me 2 pikë.
Në grupin G, kampionët në fuqi të Mançester Sitit kryesojnë me 9 pikë pas suksesit 1-3 ndaj Jang Bojs. Golit të Akangjit iu përgjigj Elia, por një dopietë e Haaland zgjidhi ndeshjen në favor të anglezëve.
Sfidë që nuk mund të shikohet nga ata që kanë probleme me zemrën ishte ajo në Gllasgou mes Seltikut dhe Atletiko Madrid. Rezultati përfundimtar i takimit ishte 2-2, por emocionet e jashtëzakonshme përshkruan gjithë sfidën, pavarësisht se bëhej fjalë thjeshtë për një ndeshje grupi.