“Vijat e kuqe”, VMRO-ja kërkon unitet për rezolutën ndaj Bullgarisë

VMRO DPMNE-ja propozon bashkim të pozicioneve shtetërore në procesin e negociatave me Bullgarinë. Partia opozitare në ditët në vijim në Kuvend do të dërgojë një rezolutë përmes së cilës nga të gjitha partitë do të kërkojnë mbështetje dhe përcaktimin e pozicioneve të shtetit maqedonas lidhur me integrimin evropian. Nga kjo parti thotë se hapin e këtillë e ndërmarrin për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas.
Në Kuvend të hapim debat dhe të ndërtojmë konsensus të gjerë për projekt-rezolutën për vijat e kuqe maqedonase, e cila nëse miratohet në Kuvendin e Maqedonisë do jetë ndihmë jo vetëm për diplomacinë dhe shoqërinë maqedonase, por do t’u ndihmojë edhe miqve tanë në BE. Pasi kjo projekt-rezolutë bazohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, tha Antonio Millososki, VMRO-DPMNE.
Nga LSDM vlerësojnë se opozita nuk ka nevojë të dorëzojë ndonjë rezolutë sepse, sipas tyre, gjuha dhe identiteti maqedonas janë konfirmuar dhe njohur ndërkombëtarisht.
Hristijan Mickoski është aq i humbur në bllokadat e tij sa që ai kërkon nga Parlamenti të diskutojë nëse ne jemi maqedonas që flasim gjuhë maqedonase dhe kemi identitet dhe veçori maqedonase. Mickoski punon kundër interesave shtetërore dhe kombëtare dhe është në gjendje të shpikë gjithçka vetëm t’i bllokojë masat dhe politikat aktuale që sjellin përfitime për qytetarët dhe shtetin”, thonë nga LSDM.
Nga partia e Ahmetit iniciativën e VMRO-së e shohin si tentim për të fituar pikë politike në prag të zgjedhje lokale. Bujar Osmani tha se deputetët e BDI-së nuk do ta mbështesin këtë rezolutë.
Nuk është serioze që interesat shtetërore të vendosen në funksion të zgjedhjeve. Dëmton interesat shtetërore dhe të gjithë qytetarëve”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se do të kenë një takim rreth kësaj çështje.
Përndryshe, në dokumentin e rezolutës së VMRO-DPMNE-së thuhet se negociatat me Bullgarinë duhet të zhvillohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pa asnjë kushtëzim dhe me respektimin e popullit maqedonas. Të respektohen faktet, teoritë e miratuara, hulumtimet dhe studimet e sllavistikës botërore dhe bashkëkohore, gjuhësisë dhe historiografisë, sipas të cilave, gjuha maqedonase dhe dialektet e saja kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore.
Ile Petreski