Virusi H5N8, Franca asgjëson rreth 600 mijë shpezë

Të paktën 600 mijë shpezë janë asgjësuar në Francë gjatë dy javëve të fundit për shkak të shpërthimit të gripit të shpezëve nga virusi H5N8, i cili ka vazhduar të evoluojë në një zhvillim shqetësues.

Ministri i Bujqësisë i Francës, Julien Denormandie, tha dje për radion lokale “France Bleu Occitanie” se ka gjashtë epiqendra të provuara të përhapjes së virusit në rajonin Gers dhe 180 në gjithë vendin.

Gripi i shpezëve nuk është i transmetueshëm te njerëzit përmes konsumit të mishit ose vezëve, por është shumë ngjitës për shpezët, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për media, Denormandie tha se autoritetet po përshpejtojnë masat për të dyfishuar kapacitetin e therjes dhe për të mbështetur prodhuesit me kompensim financiar.

Përhapja e grupit patogjen të shpezëve (HPAI) u zbulua së pari në rajonin Chalosse, i cili ka një numër të lartë të fermave të rosave dhe është i famshëm për prodhimin e “foie gras”, një delikatesë gastronomike e bërë nga mëlçitë e majmura të rosave ose patave.

Më pas gripi u përhap në rajonet fqinje Hautes-Pyrenees, Pyrenees-Atlantiques dhe Gers. Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të gripit, autoritetet nga 24 dhjetori njoftuan therjet parandaluese në rreze prej pesë kilometrave nga fermat e pulave.

Gripi i shpezëve aktualisht është aktiv në rajonin jugperëndimor të Francës dhe pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Holandës dhe Danimarkës. Përhapje të ngjashme të gripit ndodhën në Francë edhe në vitet 2015 dhe 2017.

LEXO EDHE:

Back to top button