Viti 2025/ Fshatrat në rrethinë të Shkupit ende pa ujë!

Viti 2025/ Fshatrat në rrethinë të Shkupit ende pa ujë!

Gazetar: Avni Tahiri

“Ja shihe se ku është uji i fshatit, ja, nuk ka asnjë pikë uji. Dhjetë ditë që nuk ka ujë”.

Elementin esencial për jetë nuk e kemi, si te jetojmë në këtë fshat? Kështu i drejtohet institucioneve të shtetit Setki Mahmuti, banor i fshatit Arnaqi, i cili tash e dhjetë ditë nuk ka ujë as për pijë dhe as për nevoja higjienike.

“Kjo është, kështu zhduket një popull, ndryshe nuk ka si të zhduket. Unë tre fëmijë i kam, asnjërin se kam në shtëpi, dy në Gjermani e njëri në Itali. Kemi mbetur dy veta pleq në shtëpi shkaku i këtyre problemeve. S’ka ujë, bukën na e ndalonin më herët, nuk kishim ndihma financiare nga shteti që ta mbjellim token dhe patjetër të shkojmë pas ekzistencës bukës që të jetosh. Ja kemi mbetur në këtë gjendje, një javë ditë në 40 gradë temperaturë të mos kemi as një pikë uji, të freskosh shpirtin tënd”, tha Setki Mahmudi – Banor i fshatit Arnaqi.

Përveç Setkiut, me mungesë të ujit përballen thuajse të gjithë banoret tjerë të dy fshatrave Arnaqi.

“Në temperatura 40 gradë celsius, dy fshatra të Komunës së Sarajit, Arnaqi e epërme dhe e poshtme, përballën me mungesë të ujit të pijshëm. Sipas banorëve, tre muajt e verës, këto dy fshatra tash e sa vite përballën me mungesë të ujit”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

“Ka gati një javë që nuk kemi as një pikë uji. Si ja bëni? Ndonjë ka ndonjë bunarë e ndonjë shkon në Saraj mbushin vetëm për të pijë e për nevojat tjera nuk ka”, tha Abedin Sulejmani – Banor i fshatit Arnaqi.

Uji mungon në fshatin Arnaqi të Shkupit, por nuk mungojnë faturat e ujit të cilat u vijnë çdo muaj, disa banorë kanë përfunduar edhe me dënime të përmbaruesve shkaku i mos pagesës së faturave të ujit.

“Orëmatës të ujit nuk kemi, nuk janë funksional, nuk vijnë t’i lexojnë, vetëm na i dërgojnë faturat paushall edhe pse paguajmë, si do paguajnë kur nuk kanë ujë lartë? Po, edhe shumica kanë përfunduar në përmbarues, kemi paguar edhe dënime, unë kam paguar mbi 100 euro dënim se kam përfunduar në përmbarues. A nuk kishe ujë gjithë kohës? Të them 50-50 sepse unë jetoj më poshtë ndërsa ato lartë nuk kanë aspak”, thotë banori i fshatit Arnaqi.

Kryetari i Komunës së Sarajit, Ilas Veseli, thotë se kompetencat e rrjetit të ujësjellësit ti takojnë Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit, ndërsa shton se tash më është kërkuar disa here që të ketë zgjidhje të këtij problemi.

“Në komunikim me udhëheqësit e Ujësjellësit  është problemi që uji harxhohet me të madhe në këto pjesë dhe nuk arrin që të mbushet rezervuari dhe më pas të shpërndahet në Arnaqi. Kam insistuar vazhdimisht dhe insistoj, jo më larg se dje isha në terren në fshatin Kopanicë ku kishte një defekt por edhe në Arnaqi, kompetencat janë të tilla që përveç se të komunikojmë dhe të kërkojmë nga përgjegjësit nuk dimë se çfarë të bëjmë”, theksoi Ilas Veseli – Kryetar i Komunës së Sarajit.

Sipas Veselit, është kërkuar nga komuna e Sarajit që së bashku me ekipet e ujësjellësit dhe inspektor të Qytetit të Shkupit të dilet në terren dhe të detektohen mangësitë e keqpërdorimit të ujit nga kyçjet ilegale por deri tani nuk ka pasur një aktivitet të tille.

Deri në zgjidhjen e problemit me ujësjellësin në fshatin Arnaqi, banorët do të detyrohen të mbajnë ujë në shtamba, ashtu si në kohët e dikurshme./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button