VLEN: BDI-ja shmang vetingun pasi me të njëjtin, Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Blerim Bexheti e Musa Xhaferi duhet të shkojnë në pension politik

VLEN: BDI-ja shmang vetingun pasi me të njëjtin, Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Blerim Bexheti e Musa Xhaferi duhet të shkojnë në pension politik

Pesë muaj pas Deklaratës për vetting brendapartiak, BDI nuk ka as rezultate, as mekanizëm, as guxim për t’u përballur me udhëheqjen e vet kriminale. Me këtë akuzë dolën sot nga VLEN, në një komunikatë për shtyp, duke numëruar disa nga figurat kyçe të BDI-së, jo vetëm për mosrealizim të premtimit për kontrollin e figurave të saj, por edhe fshehjen pas krimit.

VLEN:
– Kundër Bujar Osmanit kishte një lëndë nga Prokuroria Speciale, për krim, për prokurim, për vjedhje nga sektori i shëndetësisë. Çështja u zhduk në mënyrë misterioze. Bujar Osmani kishte skandale korrupsioni me prokurime publike nga kompani të afërta me të gjatë gjithë mandatit të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

– Familja e Ali Ahmetit është një “rrjet” kompanish që fitojnë miliona përmes tenderëve shtetërorë. Pothuajse nuk ka asnjë anëtar të familjes së Ahmetit që nuk është bërë biznesmen dhe që nuk është lidhur me kompani të dyshimta nga Maqedonia dhe Kosova.

– Blerim Bexheti, “zyrtari i përjetshëm” që i dha para djalit të tij përmes ndërmarrjeve publike të qytetit të Shkupit. Blerim Bexheti konsiderohet ekzekutori më i afërt i kontratave të Sasho Mijallkov dhe Artan Grubi në gjyqësor. I afërt me të gjitha strukturat e dyshimta në vend.

– Musa Xhaferi si një “eminencë gri” me pronë të padeklaruar në Nerezin e Epërm, të cilin BDI e promovon në mënyrë cinike në “vetting-un” e saj. Një njeri për të cilin biznesi i rishitjes së energjisë elektrike është më i rëndësishëm se çdo shqiptar dhe nevojat e tij.

Nga VLEN thonë se edhe deklarata për luftën kundër korrupsionit shërbeu vetëm për marketing të përditshëm. Koalicioni shqiptar në qeveri kërkon vetting të pavarur dhe publik të pasurive dhe tenderëve të të gjithë zyrtarëve të BDI-së. Lidhur me vetting, edhe ALSAT ka pyetur disa herë në BDI, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje, as për korrektësinë e informimit. Edhe ditë më parë pyetëm se kush janë anëtarët dhe kryetari i komisionit për vetting? A ka anëtarë të jashtëm në komision e vettingut? Çfarë metodologjie ndjek komisioni në fjalë? Sipas cilit model po bëhet vetting-u? Çfarë dokumentacioni dorëzojnë funksionarët që duhet t’i nënshtrohen vettingut? A duhet zyrtari vetë të dorëzojë kërkesë për vetting apo vetë organi kryen vetting? A ka afate konkrete për procedurën e vetting-ut? A përfshihet edhe lideri në vetting? Sa funksionarë deri më tani kanë kaluar procesin e vetting-ut? A ka ndonjë që nuk e ka kaluar? A ka ndonjë funksionar qe nuk e ka zbatuar vetting-un? Mbi të gjitha, a do t’i bëhet vetting edhe partnerëve të Frontit, Taravarit e të tjerëve? 5 muaj, ende asnjë përgjigje! BDI tani numëron edhe 2 ish zyrtarë të lartë në Listën e Zezë amerikane, Artan Grubi veçse në arrati, i akuzuar për ndërhyrje në gjyqësor, i ndjekur në hetimet për shpërdorime në Lotarinë e Maqedonisë, si dhe Ramiz Merko, për përfshirjen e tij në korrupsion të konsiderueshëm, “shpërdorim të fondeve dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore etj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button