VLEN/ Taravari e quan ultimatum ofertën për zgjedhjet lokale

VLEN/ Taravari e quan ultimatum ofertën për zgjedhjet lokale

Gazetar: Suad Bajrami

Ofertën për bashkëpunim në zgjedhjet lokale të tetorit, të cilën Bekim Qoku me pëlqim Izet Mexhitit, Bilall Kasamit dhe Zeqirija Ibraimit ia ka dërguar Aleancës për Shqiptarët, kreu i saj Arben Taravari e ka përjetuar si ultimatum, shkruan Alsat.

Taravari, sot u shpreh se dëshiron bisedime, jo ultimatume.

“Një orë para se të mbahet Kuvendi, u lëshua një letër publike ndaj mediumeve, portaleve, por edhe neve. Një orë para se të mbahet Kuvendi. Mu duk si ultimatum, unë në jetë asnjëherë s’kam pranuar ultimatum prej askujt, flas si kryetar partie dhe i kam qejf bisedat. Të ulemi të bisedojmë, të merremi vesh, por me ultimatume nuk i pranoj. Thjeshtë, dua biseda dhe marrëveshje, jo ultimatume”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Oferta parasheh që 35% e kandidatëve për kryetar komunash nga radhët e VLEN-it t’i takojnë ASH-së. Taravarit, i është ofruar të nxjerrë kandidat në Gostivar, Strugë dhe Vrapçisht. Të zgjedh një kandidat mes komunave Likovë, Haraçinë dhe Studeniçan. Si dhe një kandidat mes Bërvenicës dhe Çashkës. Megjithatë, si kundërpërgjigje, dje Taravari tha që edhe ata si ASH do të përgatisin ofertë për VLEN-in.

Megjithatë, në Kuvendin e djeshëm nuk është miratuar vendim konkret, nëse e pranon ose jo ofertën dhe nëse Taravari del vetë apo bashkë në zgjedhje. Në vend të përgjigjes së prerë e cila periudhën e kaluar ka shkaktuar debat dhe amulli në skenën politike, Kuvendi Qendror i partisë me të cilën udhëheqë Taravari kërkon ende kohë. Kryesia Qendrore e partisë do të vazhdojë bisedimet me VLEN-in, ndërsa paralelisht do të mbahen edhe takime me degët e partisë për të dëgjuar se çfarë mendojnë ata.

Me qasjen e këtillë nuk pajtohet përfaqësuesi i Vetëvendosjes në VLEN Bekim Qoku. Sipas tij, në koalicion nuk ka vend për dilema nëse do të dilet me listat e ndara apo të bashkuara. Ai madje është i prerë se garimi në zgjedhje jashtë koalicionit VLEN i shërben BDI-së dhe Ali Ahmetit, ndërsa për diçka të tillë, nuk do të japin mbështetje.

“…Në historinë e fundit, ne kemi arritur të shohim qartë se partitë që kanë pretenduar të dalin vetë, në fakt ujin e kanë çuar gjithmonë në mullirin e Ali Ahmetit… Si elementi i Vetëvendosjes! në këtë koalicion, me të vetmin rol të ngjitjes dhe përbashkimit, pra pa asnjë interes në ekzekutiv dhe pa asnjë anim ndaj ndonjërës nga katër partnerët, dhe duke ruajtur dhe kultivuar vetëm frymën e unifikimit, nuk do të mbështesim asnjë subjekt që do të garojë jashtë këtij koalicioni”, u shpreh Bekim Qoku, VLEN.

Taravari, tani për tani ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në.  Jozyrtarisht, BDI-ja ia ofron Komunën e Strugës, në të cilën si kandidat i mundshëm përflitet Garip Kaba. Opsioni, në kombinatorikat politike llogaritet që të nxjerrë nga loja kryesimin eventual të Selës me Strugën./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button