VMRO: Dalja e Taravarit nga Qeveria nuk rrezikon mazhorancën

VMRO: Dalja e Taravarit nga Qeveria nuk rrezikon mazhorancën

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndërsa pritet zyrtarisht të dorëzohet njoftimi për formim të grupit të ri parlamentar me nëntë deputetë nga koalicioni VLEN, shumica parlamentare pret që ASH-ja e Taravarit “të kthjellet” dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, thotë se dalja eventuale e ASH-së nga Qeveria, nuk do ta rrezikojë funksionimin e shumicës parlamentare. Edhe pse dje u dha mundësi për të diskutuar edhe një herë me organet partiake, Stojanovski thotë se jo të gjithë pesë deputetët e ASH-së duan largimin nga shumica. Madje, ka interes nga deputetë opozitarë të kalojnë te pala tjetër në pushtet, thotë Stojanovski.

“Opsionet tona janë të qarta, nëse duan të vazhdojnë me agjendën reformuese të qeverisë, hapësira dhe vlerat janë ato që janë dhe duhet të dihet se në cilën anë do të ndalojnë. Nëse duan të kyçen me ato forca retrograde të cilat 20 vjet kriminalizuan shtetin, atëherë nuk ka vend në qeveri për politikanë të tillë. Dalja e atyre deputetëve sa do që të jenë, nuk besoj se do të jenë të gjithë pesë, nuk do ta rrezikojë funksionimin e koalicionit”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.

Deputeti i Frontit Evropian, Sali Murat, mohon të jetë njëri prej atyre që ka interes të ndryshojë anë. Është i lumtur te Fronti Evropian, ndërsa krahë hapur do të mirëprisnin edhe bashkëpunime të reja, përfshirë edhe me Taravarin.

“Ata kanë vendosur koalicion mes mjeshtrit dhe çirakut, kështu duket sepse e dinë se, madje edhe vet Arben Taravari e pranoi se 70% e votuesve nuk u besojnë se nuk janë të vlerësuar në radhët e tyre të koalicionit. Unë mund të them se si përfaqësues i komunitetit turk, ne jemi shumë të lumtur në Frontin Evropian. Ja e shihni unë sa lirinë e kam dhe çfarë vlera afirmative gëzoj për një vit. Besoni jemi grupi parlamentar më i orientuar demokratik në Kuvend dhe nuk kemi asnjë arsye të kalojmë”, tha Sali Murat – Fronti Evropian.

Në seancën e sotme në Kuvend, prezent ishin të gjithë deputetët shqiptarë të shumicës parlamentare, ndërsa ndarja në dy grupe parlamentare ende nuk ka filluar të pasqyrohet në marrëdhëniet mes tyre. Gjatë votimeve vepronin të bashkuar, por megjithatë, harmonia nuk është si më herët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button