VMRO DPMNE: Taravari është i shantazhuar, arsyet e largimit duhet të kërkohen në motive biznesi
VMRO DPMNE: Taravari është i shantazhuar, arsyet e largimit duhet të kërkohen në motive biznesi

Gazetar: Suad Bajrami
Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së e ka autorizuar kryeministrin Hristijan Mickoski që të propozojë kuadro të rinj për pozicionet që deri më tani i kanë takuar Aleancës për Shqiptarët, pas vendimit të Arben Taravarit për ta lëshuar koalicionin qeveritar. VMRO-DPMNE-ja, vlerëson se largimi i Taaravarit nga koalicioni është bërë pasi kreu i saj, është i shantazhuar.
“Taravari nuk është dëgjuar të flet për atë se nuk janë trajtuar mirë çështjet shqiptare, pasi edhe vetë ai disa herë ka thënë se Qeveria edhe atë si, kujdeset për shqiptarët. Taravari publikisht duhet të përgjigjet me çka është shantazhuar nga LSDM dhe BDI. A është diçka e lidhur me biznes apo ndonjë motiv tjetër. Taravari dëshmoi se nuk është njeri stabil. Taravari qartë duhet të tregojë para qytetarëve se si BDI për 10 muaj nga parti kriminale dhe të korruptuar, për atë u bënë opsion i drejtë dhe i vërtetë”, deklaroi Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Pretendimet, Aleanca për Shqiptarët i quan shpifje.
“Aleanca për Shqiptarët ka ndjekur me vëmendje “pretendimet” e VMRO-së ndaj partisë tonë dhe kryetarit të saj. Është e pritshme që në këto ditë të rënda të kësaj Qeverie në hall, në mungesë të plotë të argumenteve politike, të ketë shpifje të llojit më absurd. Ne jemi qetësisht të përqëndruar në punën tonë drejt Fitores së Tetorit dhe nuk duam të rëndojmë me asnjë fyerje apo pseudo-akuzë VMRO-në e cila ka mjaftueshëm halle aktualisht”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Largimin nga Qeveria, Aleanca e arsyetoi dhe mbështet në çështjet etnike duke përmendur Balancerin, por edhe ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike nëpër institucione. Megjithatë, thelbi i konfliktit që përfundoi me ndarje fillimisht nga VLEN dhe më pastaj dhe nga Qeveria, është kontakti i Arben Taravarit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin fillimisht e quajti si “kanale komunikimi”, pastaj e tha se ka pasur vetëm një bisedë telefonike, dhe krejt në fund u zbulua se është takuar 3 herë fshehurazi. /Alsat.mk