VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e parakohshme dhe modeli kroat, kusht për debat

VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e parakohshme dhe modeli kroat, kusht për debat

Gazetare: Fatlume Dervishi

Që VMRO-DPMN-ja të marrë pjesë në debatin për ndryshimet kushtetuese, ata ftojnë LSDM-në dhe BDI-në të thonë se ndryshimi në bazë të modelit kroat është ose jo i pranueshëm për pushtetin. Partia opozitare kujton se modeli kroat nënkupton definimin e shtetit si vend unitar, i maqedonasve dhe pakicave nacionale.

“Le të thonë nëse pranojnë zgjedhje të parakohshme dhe nëse pajtohen me modelin kroat! Të përsëris, se pranimi i modelit kroat do të thotë se Maqedonia do të jetë shtet nacional edhe në letër edhe në praktikë dhe jo si deri më sot, shtet qytetar në letër, kurse shtet federal në praktikë”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

BDI-ja fton VMRO-DPMNE-në të bëhet pjesë e bisedimeve për të definuar ndryshimet në një proces gjithëpërfshirës.

“Besojmë se pas këtij vendimi VMRO-DPMNE duhet të dërgojë një përfaqësues në komisionin qeveritar për ndryshime kushtetuese dhe të fillojë një proces gjithëpërfshirës. Gjatë atyre bisedave do të shohin se përfshirja dhe jo përjashtimi i komuniteteve në vendin tonë e bën këtë vend më të bashkuar, më harmonik dhe më evropian”, thonë nga BDI.

Aleanca për Shqiptarët thotë se “zgjidhja që ofrohet nga ky subjekt politik në lidhje me preambulën është mosnjohje absolute e realitetit apo lajthitje e qëllimshme për efekte elektorale”.

“Koha e dominimit të një etniteti në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar një herë e përgjithmonë dhe prapakthim në atë gjendje nuk mund të ketë. Maqedonasit janë 54%, ndërsa shqiptarët 30% dhe së bashku nuk bëjnë përqindjen e kroatëve që janë mbi 90%. Cilësimi i shqiptarëve në propozimin e tyre si pakicë kombëtare edhe një herë tregon se mentaliteti i tyre është kthyer dekada pas dhe kjo është për keqardhje”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nëse ndryshon Preambula, Alternativa kërkon që të flitet për idenë e tyre të ridefinimit. Propozimi i VMRO-së për to “është retrograd dhe i papranueshëm”.

“Propozimi i VMRO-DPMNE-së që, me ndryshimet kushtetuese, të ndryshojë edhe modeli i shtetit unitar, kjo sipas ndonjë modeli kroat, ashtu që preambula e kushtetutës të jetë në frymë të fuqizimit të shtetit nacional maqedonas, ndonëse vjen në kohën kur kjo parti mendon vetëm për përfitime elektorale, ne mendojmë se nëse ka propozime dhe gatishmëri të tillë, kjo krijon mundësi të hapjes serioze të temës sonë të ridefinimit”, theksojnë nga Alternativa.

Sipas propozimit të VMRO-DPMNE-së të cilët për bazë e marrin modelin kroat, Preambula do të shkruante që Republika e Maqedonisë themelohet si shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave nacionale, shqiptarë, turqë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të tjerëve që janë shtetas të saj dhe të cilëve u garantohen të drejta të barabarta me ato të popullit maqedonas dhe realizim i të drejtave nacionale në pajtim me normat demokratike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo parti nuk mohon që në këtë rast të shkruhen dhe bullgarët dhe të gjithë nacionalitetet e regjistruara me regjistrimin e fundit të popullsisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button