VMRO e bindur se shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit

VMRO e bindur se shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit

Gazetare: Ajnur Bafqari

VMRO-DPMNE-ja shprehet e bindur se shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve do të kontribuojë pozitivisht në luftën kundër korrupsionit, shkruan Alsat.

Sipas deputetit Lupço Prenxhov në Maqedoninë e Veriut lulëzon krimi dhe korrupsioni dhe për ta luftuar nevojitet ndryshim i plotë i sistemit. Sipas tij reforma nuk përbën  përzierje të politikës në pushtetin gjyqësor.

“Nuk do të paraqesë përzierje në pushtetin gjyqësor nëse ju bëni kritere të ashpra për zgjedhje të gjykatësve dhe prokurorëve dhe më pas gjykatësit dhe prokurorët të zgjedhin për atë se cili gjykatës apo kush të jetë në një vend tjetër. Këtu ne nuk shohim ndonjë përzierje, përzierje kemi parë deri tani”, tha Lupço Prenxhov, deputet.

Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, thotë se është për reformave në sistemin gjyqësor, por vlerëson se për të pasur drejtësi cilësore prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë të liruar nga ndikimi i biznesit dhe politikës.

“Diskutimi rreth reformave në gjyqësor duhet të udhëhiqet mes Kuvendit,  Gjyqësorit. Megjithatë do të thosha se qëllimi kryesor është drejtësia cilësore, e liruar nga ndikimi i biznesit dhe politikës që është detyrë gjyqësorit. Ata duhet ta gjejnë në fund të ditës zgjidhjen se si të lirohen prej atyre, që në korniza të fushës së tyre lejojnë që ndikimi i biznesit dhe politikës të ketë efekt ndaj gjykimeve dhe ndjekjes së kriminelëve”, u shpreh Misha Popoviq, Instituti për Demokraci, Societas Civilis.

Në konferencën “Parlamenti 2024-2028- Detyra të reja në luftën kundër korrupsionit” u tha se Kuvendi mund të kontribuojë për të luftuar korrupsionin përmes mbikëqyrjes së institucioneve të dala nga vet institucioni ligjvënës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button