VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët-Alternativa kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për koalicion në zgjedhjet lokale

Opozita zyrtarizoi koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet lokale. VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë rënë dakord të mbështesin kandidatët e njëra-tjetrës për kryetarë, në disa prej komunave. Hapin që përflitej prej kohësh e bënë në takim tre liderët Hristijan Mickoski, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, në Kuvend.
Komunikatë e përbashkët, VMRO-ASH-AAA
“Bashkëpunimi do të thotë që partitë e përmendura nuk do të kandidojnë për kryetar komune në komuna të caktuara dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, ndërsa në komunat e tjera do të konkurrojnë me të gjitha partitë e tjera. Bashkëpunimi i opozitës është i pashmangshëm, në mënyrë që njësitë e vetëqeverisjes lokale të çlirohen nga qeverisja korruptive, nga harxhimi jotransparent i të hollave të qytetarëve dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeverisja LSDM-BDI në të gjitha nivelet e qeverisjes.”
Ky është bashkëpunimi i parë parazgjedhor i VMRO-DPMNE-së me parti shqiptare. Si rrjedhojë, në këto zgjedhje, bashkëpunimet dhe koalicionet janë ndarë në mënyrë të prerë mes dy taboreve pushtet-opozitë. LSDM-ja ka njoftuar se do të mbështesë kandidatët e partnerëve të koalicionit qeveritar diku në rrethin e parë e diku në rrethin e dytë. BDI-ja kishte thënë se bashkëpunimi me LSDM-në do të realizohet vetëm në rrethin e dytë.
E ndërkohë që vazhdon publikimi i emrave të kandidatëve, zyrtarizohen edhe kandidaturat e pavarura.
Maksim Dimitrievski, kryetar aktual i Komunës së Kumanovës, vendosi të mos presë nominim nga partia e tij amë, LSDM, dhe të garojë i pavarur. Ai mblodhi nënshkrimet e nevojshme dhe i depozitoi në KSHZ.
“Jam i hapur për çdo lloj mbështetje, përfshirë edhe atë nga LSDM-ja ime sepse mendoj se vlera bazë e socialdemokracisë dhe e partisë time është qasje qytetare dhe dallimet.”
LSDM-ja nuk është e kënaqur me hapin e Dimitrievskit. Me këtë thonë ata, Dimitrievski ua ka lehtësuar vendimin. Marrëdhëniet mes LSDM-së dhe Dimitrievskit u përkeqësuan që në fillim të pandemisë, me vendosjen e masave të veçanta kufizuese për Kumanovën.
LSDM
“Ai që u kthen shpinën qytetarëve, mbështetësve të demokracisë dhe opsionit progresiv, anëtarëve dhe bazës së LSDM-së, nuk mundet të jetë opsioni më i mirë për kumanovarët.”
Zgjedhjet lokale mbahen më 17 tetor kurse listat e kandidatëve duhet të mbyllen deri më 11 shtator.
Fatlume Dervishi