VMRO-ja dhe E Majta padisin Xhaferin dhe “deputetët me skafandë”

VMRO-DPMNE-ja dhe “E Majta” dorëzuan në Prokurori kallëzimet e paralajmëruara penale për dy deputetët e infektuar dhe me vendim për izolim që erdhën të dielën në seancë si dhe për kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Bisera Kostadinovska Stojçevska dhe Mirosllav Bogdanovski nga koalicioni “Mundemi” akuzohen se kanë shkelur masën e izolimit kurse kryeparlamentari, që e ka lejuar këtë.

https://www.youtube.com/watch?v=7bomtUtFx_U

Kallëzimi penal është ndaj kryetarit të Kuvendit i cili mundësoi pjesëmarrjen e dy deputetëve që ishin pozitiv me kovid. Ka dyshime të bazuara se janë shkelur nenet e Kodit Penal si dhe ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse”, tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.

Kallëzimi penal është bazuar në nenin 206 të Kodit Penal, “Mosveprim në përputhje me rekomandimet shëndetësore në kohë epidemie”, dhe bazuar në nenin 205, “Transmetim në tentativë të një sëmundje ngjitëse”. Vlerësojmë se kjo që ndodhi në Kuvend është e patolerueshme, një eksperiment i rrezikshëm në kushte pandemie”, theksoi Dimitar Apasiev, “E Majta”.

“E Majta” për shkeljen e deputetëve ka raportuar edhe në inspektoratin shëndetësor.

LSDM-ja pranon se deputetët kanë shkelur ligjin por thotë se përgjegjësia shoqërore e tyre është më e madhe dhe se deputetët gëzojnë imunitet.

Ka diçka që quhet përgjegjësi më e lartë shoqërore të cilën ne si përfaqësues të popullit e marrim me ditën e verifikimit të mandatit tonë. Sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit, pikërisht për këtë na është dhënë imuniteti. Një gjë është keqpërdorimi i funksionit tonë për qëllime private dhe tjetër gjë është që ta kryejmë funksionin tonë si deputetë dhe të shkelim ligjin. Po, ligji është ai, por ne asnjëherë nuk mund t’i shohim punët bardhë e zi”, pohoi Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, një ditë më parë deklaroi se deputetët me Covid19 i ka sjellë në Kuvend me protokollin të cilin shërbimet e Kuvendit e kishin përgatitur dhe të cilin e ka aprovuar edhe Komisioni për sëmundje infektive.

Por, protokolli në fjalë parashikon rregulla për pjesëmarrje në punën e Kuvendit për deputetët që janë të dyshuar me kovid dhe jo ata që janë pozitiv.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button