VMRO ka denoncuar aferën e “pronave të fshehta”, përfshihen BDI dhe LSDM

VMRO-DPMNE-ja ka denoncuar aferën e “pronave të fshehta”, përfshihen BDI dhe LSDM

Gazetar: Mefail Ismaili

VMRO-DPMNE akuzon pushtetin se 123 funksionarë të ndryshëm të LSDM-së dhe BDI-së fshehin prona në vlerë prej 30 milion eurove, shkruan Alsat.

Deputeti i opozitës maqedonase, Brane Petrushevski tha se janë siguruar të gjitha dokumentet dhe materialet në të cilat dëshmohet se zyrtarë shtetëror, kryetarë komisionesh, drejtorë, udhëheqës të institucioneve fshehin shtëpi, banesa, shtëpi vikendi, hapësira biznesi dhe prona të tjera.

“Pjesa më e madhe e tyre, janë të emëruar drejtpërdrejtë nga Qeveria dhe janë funksionarë të partive në pushtet. Në pesë vite të pushtetit të LSDM-së, 123 funksionarë të emëruar në pozita shtetërore fshehin prona në vlerë prej 30 milion euro. I posedojmë të gjitha detajet. Afera e re, ‘Prona të fshehura’ është edhe një tregues se si pushteti funksionon jashtë ligjeve, duke mbrojtur shkelësit e tyre”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Petrushevski tha se një pjesë e funksionarëve pronat i kanë edhe në emër të tyre, por nga Komisioni për Anti-korrupsion nuk e kanë vërtetuar këtë. VMRO-ja i bëri thirrje këtij komisioni që të veprojë.

“Komisioni për Anti-korrupsion është i obliguar që të bëjë evidencë të saktë dhe në kohë për dorëzimin e listave anketuese nga ana e funksionarëve, të cilët kanë obligim që në afat prej 30 ditëve nga emërimi i tyre të dorëzojnë lista anketuese. Duhet të parashtrohet edhe pyetja pse Komisioni për anti-korrupsion ekziston nëse saktë 123 funksionarë i fshehin pronat e tyre”, u shpreh Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE u dha afat 24 orë institucioneve që vetë t’i publikojnë emrat e funksionarëve që kanë fshehur pronat e tyre, në të kundërtën prej të martën do t’i publikojnë vetë në mënyrë individuale bashkë me pronën të cilën e fshehin./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button