VMRO: Në vend të shërbimeve, qeveria vjedh pacientët / BESA: Përgjegjësi dhe burg për keqpërdoruesit

VMRO: Në vend të shërbimeve, qeveria vjedh pacientët / BESA: Përgjegjësi dhe burg për keqpërdoruesit

 Gazetare: Melihate Rustemi

VMRO-ja opozitare sërish me kritika ndaj pushtetit për ngjarjet në Onkologji. Sipas opozitës, Qeveria e drejtuar nga LSDM dhe BDI ka pasur njohuri për ndodhitë në Onkologji të cilat kanë rrezikuar jetën e pacientëve mirëpo kanë heshtur. Prandaj, siç thonë nga VMRO do të ketë përgjegjësi penale dhe politike.

“MPB-së dhe ministrit Oliver Spasovski iu desh shumë kohë për të reaguar dhe atë vetëm me procedurë parahetimore. Edhe pse kishin njohuri për ngjarjet, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Shkarkimi i drejtorit të Klinikës nuk është masë dhe në këtë rast vetëm këtë e kemi parë.Ishte kjo qeveria e LSDM-së dhe BDI-së që premtoi jetë, dhe me sa duket bëri vetëm aksidente njerëzore. Kjo Qeveri e LSDM-së dhe BDI-së premtoi decentralizim të trajtimit të këtyre pacientëve por që është maksimalisht i centralizuar. Dhe ne shohim se si në vend që të trajtojnë të sëmurët më rëndë, ata i vjedhin për vite me radhë”, deklaroi Llazo Jovçeski, VMRO-DPMNE.

Rasti me keqpërdorimin e terapive për pacientët e sëmurë rëndë nga kanceri në Klinikën e Onkologjisë është kulmi i skandaleve që e ka përfshirë këtë pushtet, thuhet në reagimin e lëvizjes opozitare BESA.

“Ky pushtet i pangopur nga vjedhja dhe keqpërdorimet e ndryshme, nuk ju mjaftojnë tenderët milionëshe që po dalin në shesh çdo ditë e më shumë, por kanë shkuar deri atje saqë kanë vjedhur edhe ilaçet e pacientëve të sëmurë rëndë! Nuk ka asnjë lloj justifikimi që mund ti arsyetojë nga përgjegjësia penale aktorët e përfshirë në këtë skandal çnjerëzorë kur drejtuesit e onkologjisë në bashkëpunim me disa të punësuar në këtë klinikë, kanë shkruar ilaçe fiktive për pacientë inekzistentë gjoja se kanë pranuar terapi shëndetësore ndërkaq pacientët e vërtetë të sëmurë në vend që ti pranojnë dozat e plota të ilaçeve janë shërbyet me gjysmë doza terapie duke krijuar kështu dhimbje të dyfishtë për të sëmurët e kësaj kategorie dhe natyrshëm duke ndikuar në këtë formë kriminale që shumë pacientë edhe të vdesin!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Lëvizja Besa thotë se për këtë skandal çnjerëzor duhet të ketë përgjegjësi dhe dënime me burg për të gjithë të personat e përfshirë në krim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button