Vosha: Besojmë në fitore, 3 pikët mbeten te FC Shkupi

Pas aventurës evropiane, FC Shkupi vazhdon garat në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. në javën e parë, skuadra nga Çairi do të jetë në transfertë, në terrenin e stadiumit në Maxhari, ku do të përballet me skuadrën e Rabotniçkit. Përveç tani më të larguarit Renaldo Cefas, ekipi do të jetë i kompletuar, andaj trajneri Çihat Arslan nuk duhet të ketë probleme për të formuar ekipin që do të jetë përballë “romantikëve”. Njëri prej futbollistëve që pret momentin e tij për të dëshmuar kualitetin e plotë është Arbin Vosha, i cili u shpreh optimist për fillim të mbarë të Fc Shkupit.
“Çdo fillim sezoni është shumë e rëndësishme të nis me këmbë të mbarë. Ne si ekip jemi përgatitur maksimalisht edhe pse kemi pasur angazhime në ndeshjet evropiane. Jemi gati për sfidat e reja dhe do të japim maksimum në çdo lojë. Për duelin e sotëm ndaj Rabotniçkit kishim kohë të mjaftueshme për tu bërë gati dhe besojmë në fitore dhe duam që tre pikët e të mbesin te ne”, ka thënë Vosha.
Ndryshe në pesë përballjet e fundit, FC Shkupi ka shënuar pesë fitore, duke e mundur Rabotniçkin 3 herë si nikoqir dhe në dy në cilësinë e mysafirit. Arbitër kryesor në këtë ndeshje do të jetë Aleksandar Stavrev.
Ndeshja Rabotniçki – Shkupi do të luhet në stadiumin “Boris Trajkovski”, në lagjen Maxhari të Shkupit me fillim në ora 17:00.