Vrasja në Shtip, viktima një 25-vjeçar nga Turqia / Motivet, mbeten të paqarta
Vrasja në Shtip, viktima një 25-vjeçar nga Turqia / Motivet, mbeten të paqarta

Gazetar: Suad Bajrami
Një 25-vjeçar ka mbetur i vrarë në Shtip pasi u ekzekutua me pistoletë nga 21-vjeçar në një kafenë në sheshin e qytetit. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka ndodhur për disa sekonda, derisa në lokal ka pasur edhe persona të tjerë. Viktima edhe ekzekutori sipas MPB-së janë shtetas të Turqisë.
“Në ora 21:25 në SPB Shtip është paraqitur se në një objekt gastronomik në sheshin e qytetit në Shtip është shtënë me pistoletë ndaj E.O. (25) nga Turqia, pas çka kryerësi është larguar me automjet. I lënduari është dërguar në Spitalin Klinik, ku në ora 22:10 ka ndërruar jetë”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Pas aktit të kryer ekzekutori menjëherë është arratisur nga vendi i ngjarjes me një automjet BMV, në të cilin kanë qenë edhe katër persona të tjerë. Njësitet policore, nëpërmjet një aksioni të koordinuar kanë vendosur disa bllokada në rrugën drejt Shkupit për të ndaluar veturën, ndërsa krahas forcave të sigurisë, terreni është mbikëqyrur edhe me dronë. Në pikën pagesore Milladinovc, automjeti ka çarë bllokadën policore dhe ka vazhduar arratisja, por për shkurt kohë është ndaluar. Për dramën që ka ndodhur, më së miri flasin pamjet e filmuara nga një dëshmitar rasti:
“Në ora 22:15 në pikën pagesore në Milladinovc, në aksion të përbashkët të SPB- Shtip dhe SPB Shkup dhe Policisë së Trafikut, është ndaluar automjeti “BMV” me targa të Shtipit, në të cilin kanë qenë katër persona, respektivisht shtetasit turk 22-vjeçarët A.H. dhe T.M., por edhe 28-vjeçari A.O. dhe 29-vjeçari O.M. të cilët dyshohen se kanë ndihmuar të arratiset i dyshuari për kryerjen e veprës 21-vjeçari K.K. Në një moment A.H. është arratisur, ndërsa pas ndërmarrjes së masave shpejtë është kapur. Pas marrjes së masave, është kapur edhe kryerësi K.K.”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Autoritetet kanë gjetur dhe pistoletën me të cilën është kryer vrasja. Nga Prokuroria, njoftojnë se kanë kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes, janë siguruar gëzhojat dhe gjurmët e tjera që do të jenë lëndë e ekspertizave të mëtutjeshme, ndërsa trupi i viktimës është dorëzuar për autopsi. Janë siguruar dhe kontrolluar kamerat e sigurisë.
“Po ndërmerren dhe masa të tjera për sigurimin e provave, ndërsa veprimet kontrolluese të lokacionit do të vazhdojnë edhe sot”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike e Shtipit.
Organet e rendit nuk japin të dhëna për motivin e rastit, e as për atë nëse shtetasit turq kanë hyrë legalisht në shtet dhe nëse kanë pasur leje qëndrimi të rregullt. /Alsat.mk