Vrasja në Tetovë, policia në kërkim të autorit
Vrasja në Tetovë, policia në kërkim të autorit

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Policia e Tetovës është vënë në kërkim të personit që dyshohet se kreu vrasjen në rrugën “Shtipska” mbrëmjen e kaluar. Dyshimet e para flasin se është gjuajtur nga një makinë në lëvizje. I dyshuari ka shkrepur breshëri automatiku duke lënë të vdekur 39 vjeçarin me inicialet R.T. Sektori i Punëve të Brendshme thotë se janë marrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit.
“Në rrugën “Shtipska” në Tetovë, një veturë e tipit Mercedes e cila ka qenë në lëvizje, ka gjuajtur me armë zjarri ndaj makinës BMV, ku ka qenë personi R.T. 39 vjeç nga Tetova, dhe nga plagët e mara ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Në vendngjarje inspektim kryen pjesëtarët të policisë së Tetovës dhe prokurori publik dhe po merren masa për zbardhje dhe dokumentim të rastit. Policia e Tetovës është vënë në kërkim ndaj personit lidhur me këtë rast, megjithatë detajet tjera do i jep prokurori publik, sepse jemi në procedurë hetimore dhe parahetimore dhe nuk mund të ndërhyjmë në procedurë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Me detaje doli edhe Prokuroria. Sipas njoftimit po mblidhen të gjitha provat për incidentin e armatosur.
“Është kryer hetimi në vendin e ngjarjes. Prokurori publik ka urdhëruar kryerjen e obduksionit, dhe sigurimin e incizimeve nga kamerat nëpër objektet e lagjes, veturës, dhe dëshmive të tjera të për hetimin e mëtejmë. Ministria e Punëve të Brendshme, vazhdon kërkimin për zbulimin e dorasit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Tetovës.
Sipas informatave të televizionit Alsat dyshohet se rasti është i lidhur me ngjarjen e para disa muajve kur pati shkëmbim zjarri para urgjencës në Tetovë, të cilës i parapriu një zënkë verbale përpara gjykatës së Tetovës. Gjatë këtij incidenti të armatosur më 11 janar të këtij vit, mbetën të plagosur dy vëllezër nga fshati Gajre i Tetovës, njëri nga të cilët më pas ndërroi jetë. Përleshja me armë vazhdoi edhe pas katër muajsh, përkatësisht më 11 prill, me çrast me breshëri automatiku, u gjuajt në drejtim të një objekti në Rrugën e “Ilinidenit”./Alsat.mk