Tyler Robinson, 22 vjeç, është arrestuar dhe zyrtarisht akuzuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje më 10 shtator gjatë një aktiviteti publik në Universitetin e Luginës së Utah-ut.
Sipas autoriteteve hetimore, ngjarja ndodhi në mesditë, teksa Kirk po zhvillonte një diskutim me studentët në ambientet e jashtme të kampusit. Ai u qëllua me një të shtënë të vetme nga distancë, ndërsa po përgjigjej ndaj një pyetjeje në lidhje me komunitetin transgjinor dhe dhunën me armë zjarri.
Plumbi e goditi në qafë, duke i shkaktuar vdekjen pak çaste më vonë në spital. Të pranishmit raportuan se plumbi kaloi shumë pranë pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë edhe fëmijë, çka ka rënduar më tej aktakuzën ndaj të dyshuarit.
Prokuroria e Qarkut të Utah-it, në një konferencë për shtyp, njoftoi se ndaj Robinson rëndojnë shtatë akuza penale, përfshirë vrasje të rëndë me paramendim, shkarkim të paligjshëm të armës, dy akuza për pengim të drejtësisë, dy akuza për ndikim ndaj dëshmitarëve dhe kryerje të një krimi të dhunshëm në praninë e fëmijëve.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se prokurori Jeffrey Gray deklaroi se për shkak të natyrës së rëndë të veprës dhe provave të mbledhura, do të kërkohet dënimi me vdekje. Ndaj të dyshuarit është vendosur masë paraburgimi pa të drejtë lirimi me kusht deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në qendër të hetimeve janë edhe mesazhet që Robinson shkëmbeu me partnerin e tij, një person transgjinor me të cilin kishte një lidhje romantike. Në këto komunikime, të dorëzuara në polici nga vetë bashkëjetuesi, Robinson pranon autorësinë e sulmit dhe jep detaje të planifikimit dhe fshehjes së armës.
Ai e informon partnerin për vendndodhjen e pushkës, e cila ishte lënë në një shkurre të mbështjellë me një peshqir pas ndërrimit të rrobave. Për më tepër, ai i kërkon atij të fshijë çdo mesazh dhe të mos bashkëpunojë me mediat apo autoritetet pa praninë e një avokati.
Hetuesit lokalizuan armën e krimit, një pushkë me bolt e trashëguar nga gjyshi i të dyshuarit, në një zonë të pyllëzuar pranë universitetit. Brenda saj u gjetën tre fishekë të papërdorur dhe një i përdorur, ndërsa mbi predhat ishin gdhendur mesazhe satirike dhe provokuese, përfshirë fraza si: “Hey fascist! Catch!” dhe “If you read this, you are gay, lmao”, shkruajn mediat ndërkombëtare.
ADN-ja e gjetur në armë dhe peshqirin përputhet me profilin e Robinson, duke përforcuar më tej provat kundër tij. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë duke hyrë në kampus me një ecje të pazakontë, me këmbën e djathtë të tendosur, çka ka bërë hetuesit të besojnë se kishte fshehur pushkën në pantallona.
Pas ngjarjes, Robinson qëndroi i fshehur për më shumë se 30 orë, derisa u bind të dorëzohej nga një mik i familjes, ish-punonjës policie. Sipas Prokurorisë, ishte nëna e tij ajo që e njohu të birin në pamjet e transmetuara nga mediat dhe ngriti dyshime tek bashkëshorti i saj. Ata e kontaktuan djalin, i cili fillimisht sugjeroi vetëvrasje, por më pas pranoi të dorëzohej dhe u paraqit në polici bashkë me provat e mbetura.
Prindërit e tij, të përshkruar si mbështetës të linjës konservatore dhe përkrahës të ish-presidentit Trump, thuhet se kishin patur përplasje me djalin për qëndrimet e tij politike dhe lidhjen e tij me një person transgjinor.
Ndërkohë, një person tjetër i arrestuar menjëherë pas vrasjes, George Zinn, është akuzuar për pengim të drejtësisë, pasi kishte pretenduar në mënyrë të rreme se ishte ai që kishte qëlluar Kirk-un. Zinn, sipas autoriteteve, nuk kishte lidhje me Robinson, por veprimet e tij mund të kenë vonuar kapjen e autorit të vërtetë. Gjatë kontrollit të telefonit të tij, u zbuluan gjithashtu materiale të paligjshme me përmbajtje abuzimi seksual ndaj fëmijëve.
Procesi ndaj Tyler Robinson pritet të nisë së shpejti. Në seancën e parë, e cila pritet të zhvillohet në mënyrë virtuale, atij do t’i lexohen akuzat dhe do të kërkohet deklarimi i fajësisë ose pafajësisë. Organi i akuzës ka theksuar se çështja do të ndiqet me prioritet dhe do të trajtohet si një rast me rrezikshmëri të lartë publike.








