Vriten 70 persona në Gaza, prisnin për ndihma humanitare
Vriten 70 persona në Gaza, prisnin për ndihma humanitare

Të paktën 70 persona janë vrarë në një sulm ndaj palestinezëve që po prisnin për ndihma humanitare, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Gazës. Zëdhënësi i kësaj ministrie që drejtohet nga Hamasi tha se 280 persona tjerë janë plagosur në sulm, i cili pretendohet se është kryer nga Izraeli. Ushtria e Izraelit ka thënë se do të shohë raportimet. Shifra totale e të vdekurve që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas ka arritur në mbi 30 mijë.
Nga ana tjetër komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bëri thirrje për t’i dhënë fund ofensivës së Izraelit në Gaza. Lufta ka dëbuar 80% të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë palestinezësh dhe zyrtarët e OKB-së thonë se një e katërta e popullsisë po vdes nga uria.
“Lufta në Gaza duhet të përfundojë. Shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjeve humanitare, duke përfshirë krimet e luftës dhe ndoshta krime të tjera sipas ligjit ndërkombëtar, janë kryer nga të gjitha palët. Të gjithë njerëzit në Gaza përballen me rrezikun e urisë. Pothuajse të gjithë pinë ujë të kripur dhe të kontaminuar. Kujdesi shëndetësor në të gjithë territorin mezi funksionon. Vetëm imagjinoni se çfarë do të thotë për të plagosurit dhe për njerëzit që vuajnë nga shpërthimet e sëmundjeve infektive”, deklaroi Volker Turk, komisioner i lartë i OKB-së. /Alsat.mk