Vuçiq: Vendimi për targat nis zbatimin nga 1 shtatori
Vuçiq: Vendimi për targat nis zbatimin nga 1 shtatori

Pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, presidenti serb Aleaksandar Vuçiq është bindur se autoritetet e Kosovës nuk tërhiqen. Vuçiq tha se vendimi për targat do të nis zbatimin më 1 shtator. Ai tha se po insistohet që serbët në veri të mund të hyjnë me dokumente të Serbisë, por se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që ato të kenë një përjashtim:
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës Kosovës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara. Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, shtoi ai.
Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave qëndruan në Prishtinë dhe Beograd ku u takuan me liderët politikë. Zyrtarët perëndimorë diskutuan me liderët e dy shteteve për parandalimin e përshkallëzimit të mundshëm të situatës. Escobar tha se SHBA-ja po kërkon nga të dyja palët që të zotohen se nuk do të ketë dhunë. Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, nga 1 shtatori të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Ky dokument lëshohet nga Serbia për shtetasit e Kosovës, qëkur palët arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes 11 vjet më parë. Ndërkaq, vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS. Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti. Ndërkaq, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Kosova ka thënë se është e gatshme të heqë dorë nga lëshimi i tyre, nëse edhe Serbia bën të njëjtën gjë.