Xhaferi: Nuk e arsyetoj veprimin e Ademit, ai u provokua nga opozita

Xhaferi: Nuk e arsyetoj veprimin e Ademit, ai u provokua nga opozita

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi këmbëngul se nuk e justifikon veprimin e bashkëpartiakut të tij Arbër Ademi në Komisionin për Çështje Evropiane por nga ana tjetër, e quan veprim të provokuar, shkruan Alsat.

Në takimin joformal me gazetarët, Xhaferi tha se deputetët duhet të rrinë në vendin e tyre dhe të marrin mësim që kjo të mos përsëritet.

“Ai që ulet në vendin e tij dhe bën punën e tij dhe dikush i afrohet ta pengojë atëherë është e qartë se kush dhe çfarë nxit. Nuk arsyetoj askënd por nëse doni fotografinë e përgjithshme duhet ta trajtoni si tërësi si ka ardhur deri te ajo. Nuk e mbroj askënd. Nuk justifikoj një vepër të tillë. Por, nuk është në rregull të gjithë të thirrim pas tij. Jo sepse është nga BDI-ja por nuk është në rregull sepse dikush e solli atë situatë. Askush nuk duhet të reagojë ashtu, ashtu si nuk duhet të reagojë opozita në atë mënyrë, nuk duhet të reagojë as pushteti. Dërgoj porosi që kjo të mos përsëritet dhe nuk do të përsëritet nëse dikush nuk e inicion, nuk e provokon”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Situata e dy ditëve më parë me tensione dhe dhunë u pasua me shumë shkelje të procedurës parlamentare dhe Rregullores gjatë shqyrtimit të ligjit për marrëdhënie pune për zgjatjen e mandatit të gjykatësve dhe prokurorëve për tre vjet të tjera pas përmbushjes së moshës së pensionimit. Ligji është me yll të BE-së me qëllim që të shmanget bllokimi nga opozita, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me direktivat e BE-së. Në kundërshtim me praktikën e deritanishme dhe të drejtën që kanë deputetët të cilët janë anëtarë, atyre ju mohuan fjalimet procedurale në Komisionin për Çështje Evropiane. Të drejtën për këtë e gëzuan vetëm koordinatori dhe zv/koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-së por jo edhe deputetët tjerë. Pa u dhënë fjalën deputetëve që ishin paraqitur, u votua rendi i ditës dhe u hodhën poshtë vetëm 2 nga 381 amendamentet. Pas kësaj, zv/kryetarja e komisionit e ndërpreu seancën duke thënë se janë përmbushur dy ditët e debatit, ashtu siç e parashikon Rregullorja për ligjet që janë me flamur të BE-së. Afati i fundit që ka pushteti për miratimin e ligjit është nesër sepse pas kësaj rreth 60 gjykatës dhe 10 prokurorë do të fillojnë të dalin në pension një nga një. Opozita thotë se pushteti përgatit miratimin e ligjit me forcë gjatë orëve të ardhshme.

“Sot ose nesër se ata nuk kanë më shumë afat për këtë seancë. Kështu që ne presim që kjo seancë të mbahet. Jemi mësuar të funksionojmë kështu edhe pse me muaj të plotë ndonjëherë s’kemi seanca. Sot pas pyetjeve të deputetëve ose nesër pas interpelancës, dhe ndoshta ajo është taktika që të punojmë gjithë natën që nesër gjatë interpelancës për kryetarin deputetët të mos jenë në gjendje më të mirë për punë, megjithatë ne jemi këtu si grup parlamentar”, deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Për opozitën, është kontestues fakti që mandati i gjykatësve dhe prokurorëve zgjatet me ligjin për marrëdhënie pune dhe jo me ligjin për gjykatat dhe ligjin për prokurorinë publike, ashtu siç duhet të ishte. Megjithatë, ligji për gjykatat dhe ligji për prokurorinë publike miratohen me 2/3 e votave dhe kjo është arsyeja që pushteti ndryshimin e bën përmes ligjit për marrëdhënie pune pa nevojën e votave të opozitës. Në mënyrë plotësuese, opozita e kundërshton faktin që miratimin për vazhdimin e mandatit të gjykatësve dhe prokurorëve për tre vjet të tjera duhet ta japë Këshilli Gjyqësor dhe me këtë, thonë ata, do të vazhdohet vetëm jetëgjatësia e gjykatësve dhe prokurorëve të afërt me pushtetin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button