Xhaferi nuk planifikon të veprojë për grantet e kontestuara të Drin Ahmetit

Xhaferi nuk planifikon të veprojë për grantet e kontestuara të Drin Ahmetit

Gazetar: Lluka Andreev

Kryeministri Talat Xhaferi nuk planifikon të veprojë për nismën e anti- korrupsionit për të përcaktuar përgjegjësinë e personit të parë të Fondit të Inovacionit, Festim Halili.

Anti-korrupsioni ka konstatuar parregullsi në punën e Halilit për grantet e dhëna dy kompanive në pronësi të nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit.

Mirëpo, edhe pse nga antikorrupsioni kërkuan përgjegjësi nga drejtori i Fondit i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria, sipas Xhaferit, në këtë rast nuk ka qenë përgjegjësia e tij dhe ka kërkuar që të respektohet prezumimi i pafajësisë.

“Qeveria nuk është as gjykatës e as prokuror”, tha Xhaferi.

Më herët, antikorrupsioni sqaroi për Alsat se masa për përcaktimin e përgjegjësisë i është lënë organit kompetent dhe siç thonë ata, në këtë rast është Qeveria, e cila ka në dispozicion opsionet – nga paralajmërimi deri te shkarkimi i Halilit. Megjithatë, Xhaferi sot ka hequr dorë nga kjo çështje dhe nuk ka komentuar në detaje kritikat nga Brukseli se autoritetet po sillen keq me nismat dhe rekomandimet e Komisionit kundër korrupsionit.

“Brukseli ka kritika për shumë gjëra, por në lidhje me këtë çështje nuk është përgjegjësi e Qeverisë. Komisioni kundër korrupsionit është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi, i pavarur në punën e tij”, u shpreh Xhaferi.

Në rastin konkret, Komisioni kundër korrupsionit ka konstatuar se Fondi në mënyrë kontestuese ka mundësuar që projektet e punuara nga kompanitë e Drin Ahmetit, “Thor Industries” dhe “Everest” të shkurtojnë kohëzgjatjen e realizimit të tyre përkundër shumës së pranuar prej pesë milionë denarë.

Në të njëjtën kohë, kompanitë kanë vonuar ose nuk kanë dorëzuar fare raporte përfundimtare kurse Fondi nuk ka marrë asnjë masë. Gjithashtu, Fondi nuk ka kryer asnjë inspektim në terren për të parë se si po shkon realizimi i projekteve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button