Xhaferi s’lejon më shumë grupe parlamentare, Micevski: Shqyrtojmë veprimet e ardhshme

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se periudha e formimit të më shumë grupeve parlamentare nga një subjekt politik është kohë e shkuar dhe nuk do të lejojë të përsëritet më.

Nuk ekziston mundësia në Rregullore për këtë – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Përgjigja e tij i referohet paralajmërimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për formimin disa grupeve parlamentare nga deputetët e partisë së tij. Tashmë nga kjo parti thonë se shqyrtojnë disa opsione për t’iu kundërpërgjigjur sjelljes së Xhaferit ndaj tyre.

Rregullorja e jep këtë mundësi megjithatë ne si VMRO-DPMNE do ta shqyrtojmë në tërësi sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Xhaferit, ndaj opozitës në periudhën e ardhshme dhe do të marrim qëndrim jo vetëm për këtë por edhe për atë që e kemi përmendur për interpelancë për bartësin e funksionit publik – deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Për shumicën, formimi i më shumë grupeve parlamentare krijon një paralele me zhvillimet e katër viteve më parë që i paraprinë 27 prillit, kur opozita kishte formuar 10 grupe parlamentare.

Sa i takon paralajmërimit për më shumë grupe parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE-së, për mua dhe për një pjesë të madhe të qytetarëve të vendit, përngjan në ndonjë paralajmërim për atë që nënkupton 27 prilli 20217 – u shpreh Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Përplasjet u intensifikuar pasi shumica kritikon opozitën se bllokon ligjet me amendamente dhe se nuk merr pjesë në punën e Kuvendit. Si pasojë, Xhaferi gjatë takimit me gazetarët tha se më shumë ligje kanë ngecur në procedurë.

Ky nocion “kuorum” nuk mund të interpretohet se është obligim i vetëm 61 deputetëve të shumicës. Parlamenti vendos nëse ka shumicë, pa marrë parasysh a është pozitë, a është opozitë se parlamenti s’është i ndarë, një pjesë shumica dhe një pjesë opozita. Të drejtat dhe obligimet i kemi të njëjta – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Me amendamente nga opozita janë bllokuar gjithsej 28 ligje. VMRO-DPMNE-ja do të tërheqë disa nga amendamente gjatë periudhës së ardhshme kurse për disa ligje të tjera kërkon fillimisht marrëveshje. Ndërkohë, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa së fundmi tërhoqi vetëm amendamentet për ligjet e pakos së pestë ekonomike të cilat tashmë janë miratuar kurse të tjerat do t’i tërheqë pas marrëveshjes për ligjin për shtetësi.

Nuk kemi deklaruar asnjëherë se do t’i tërheqim edhe amendamentet tjera, kemi thënë që për amendamentet tjera, do të shohim se si do të rrjedhë procesi. Besoj se procesi është në rrugë të mbarë, është nga fundi dhe do të ndodhë e njëjta – theksoi Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Më 5 maj, do të vendosen në votim disa ligje për të cilat ka shterur debati kurse opozita deklaroi se do të jetë prezente.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button